Presidenti Ardian Takaj sot ka “bekuar” trajnerin e ri të Skënderbeut, Orges Shehin. Numri 1 i klubit korçar nuk ka hezituar që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për disa nga temat më të nxehta, duke nisur që nga lufta që vijon me UEFA-n deri te merkato e skuadrës, ku veçohen disa emra të përveçëm. Takaj beson te aftësitë e Shehit, por në të njëjtën kohë ai paralajmëron se Skënderbeu do të vijojë të jetë në nivele të larta, edhe pse luftën më të madhe e ka dyrve të gjykatave me UEFA-n.
Prezantimi i Shehit…
Jemi sot këtu mbas një viti shumë të suksesshëm. Jo vetëm për ne por të gjithë e dinë se e mbyllëm mirë. Jemi për fillimin e sezonit të ri që vjen me ndryshime. Po prezantojmë sot Orges Shehin si trajnerin e ri të ekipit që ka dhënë shumë për fanellën e Skënderbeut dhe do të vijojë të japë ende. Kemi besimin tek Shehi për një rrugë sa më të suksesshme.
Çfarë vështirësish keni?
Jemi një ekip i madh dhe kemi një betejë të madhe me UEFA-n. Kjo betejë nuk ka filluar sot dhe lufta jonë është në dy drejtime. Kemi arritur objektivat që kemi pasur qëllim. Jemi në pritje të një gjyqi pozitiv si fitorja më e madhe e Skënderbeut.
Si ndryshon buxheti i ekipit?
Problemi nuk është tek buxheti por tek vazhdimësia e jonë. Ne buxhetin e kemi siguruar vetë dhe kemi prodhuar të ardhura për të ardhmen më të suksesshme.
Çfarë do të ndodhë me lojtarët që nuk kanë kontratë?
Ne jemi në ndërtim për sezonin e ri dhe do të jenë pjesë ata lojtarë që do Skënderbeu të ketë pjesë të sezonit të ri. Jemi në një garë që do të bëjmë të pamundurën për të fituar sërish titullin kampion. Edhe vjet dolëm të tretët por bëmë një aventurë super në Europë.
Kanë ndryshuar objektivat?
Vetëm emri i Skënderbeut po të futët në fushë e ka objektivin e qartë. Prandaj çdo lojtar që vjen tek ne e di fort mirë së hyn në lojë vetëm për të fituar.
U larguan Soue, Lilaj e Xhemjs, ndërsa Osmani, Muzaka e Vangjeli hezitojnë. Jeni të shqetësuar?
Disa nga lojtarët e larguar kanë qenë në moshë dhe do të ndodhte një revolucion i tillë. Megjithatë ne i kemi marrë masat. Kemi kontingjentin e duhur edhe sikur të mos hynim fare në merkato. Kemi potencialin për të përballuar këtë kampionat. Nëse jemi të suksesshëm vetëm në kampionat nuk bën asgjë. Europa të nge lart.
Çfarë do të ndodhë me Osmanin, Muzakën dhe Vangjelin?
Ne jemi duke biseduar, po shohim gjërat me kujdes dhe ditët e ardhshme do të kemi diçka më shumë.
A do të ketë afrime të reja dhe cilët janë?
Afrime do të ketë në ditët në vazhdim. Ne jemi të hapur në merkato pasi duam të jemi sërish kompetitivë. Do të jemi të hapur dhe për merkaton në dalje pasi është mënyrë për të siguruar të ardhurat dhe ne kemi qenë të suksesshëm.