Presidenti i Skënderbeut mundohet të ulë euforinë në Korçë, pas fitores ndaj Flamurtarit.
Ardjan Takaj mund të festojë, ka të drejtë ta bëjë nëse sheh renditjen, por edhe ekipin që ka ndërtuar. Nuk e bën, bosi i Skënderbeut e di mirë se është ende shumë herët dhe eksperienca e ka mësuar të presë. Fundja, ishte vetë Skënderbeu sezonin e shkuar që herë pas here konsiderohej jashtë gare për titull, por në fund për pak triumfoi, nëse nuk do të ishte për atë ndeshje absurde në Kukës. Pas fitores së djeshme ndaj Flamurtarit Takaj ishte i qeshur, natyrisht, por edhe i matur në deklaratën e tij.
“Ishte një ndeshje e fortë mes dy ekipeve kryesuese të kampionatit dhe normalisht që të tilla ndeshje sjellin spektakël në fushë. Pikërisht kështu ishte edhe ky takim i sotëm që u luftua shumë në fushë nga të dy ekipet. Bëmë një paraqitje mjaft të mirë dhe merituam që të fitonim këtë takim falë këmbënguljes së lojtarëve tanë”.
KUJDESI – Triumf me gol në fund, që Muzaka e quajti vendimtar për titullin, por Takaj nuk e sheh kështu: “Një gol në fund të takimit është gjithnjë i bukur. Mund të them se arritëm një fitore të madhe, që na jep mundësinë që të jemi të shkëputur nga vendi i dytë i renditjes, por asgjë nuk është mbyllur. Janë edhe 17 takime për t’u luajtur në fushë dhe nëse jemi të shpërqendruar, shumë shpejt kundërshtarët i gjejmë fare pranë”.
TITULLI – Takaj duket se i ka bërë llogaritë me laps e letër, sepse tregon edhe rrugën drejt titullit dhe momentin vendimtar: “Në tre javët e ardhshme ndaj Kamzës, Partizanit dhe Kukësit, besoj se do të vendoset shumë dhe nëse fitojmë takimet e radhës mund të them se kemi hedhur një hap të sigurt drejt titullit kampion”.
OSMANI – Edhe Takaj, ashtu si gjithë stadiumi në Korçë, mbeti i tronditur nga ngjarja e rëndë me vëllain e Tefik Osmanit, i cili u rrëzua nga tribuna në momentin e festimit të golit, por për fat gjithçka kaloi pa pasoja të rënda. “Në fund ajo ngjarje e rëndë na e prishi gëzimin e fitores por për fat të mirë morëm lajme që na gëzojnë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore dhe i qëndrojmë pranë familjes Osmani në këtë momente. Për fat të mirë, gjithçka është nën kontrollin e mjekëve dhe gjendja duket e stabilizuar”, përfundon Takaj.