Plaku: Kukësi të lë të luash, arbitrat jo

0

Sulmuesi i Kamzës: Edhe në Kukës një mundësi për të marrë pikë, por nuk duhet të harrojmë që Kukësi është kampionia në fuqi

Jurgen Zela

Me shtatë golat e shënuar në 15 ndeshjet që ka luajtur, Sebino Plaku mund të konsiderohet dhe si lideri i Kamzës këtë sezon. Së bashku me skuadrën e tij kanë arritur që t’i suprizojnë të gjithë, pasi kur janë mbyllur dy fazat e para e shohin veten vetëm 3 pikë larg zonës Europian, vend ky që mbahet pikërisht nga kundërshtari i radhës Kukësi. Sulmuesi 32-vjeçar ka folur për “Sport Ekspres” prag ndeshjes me kampionët ku ka treguar pritshmëritë që ka për këtë takim, si dhe asaj që i druhet më së shumti. Plaku po gëzon një formë mjaft të mirë, pasi ka arritur që të shënojë në takimin fundit me Partizanin, por pa mundur që të marrë pikë. Në fazën e dytë ishte pikërisht Plaku që realizoi dy gola ndaj Kukësit, por në këtë pikë kryeqytetasi preferon që të vërë në dukje pikën më të fortë të skuadrës.
Luani ndaj Kukësit, në fazën e parë vendosi një penallti, ndërsa në shtëpi u barazuat nga një gol i Rrumbullakut afër fundit, si e prisni përballjen e tretë?
Situata ka ndryshuar,sepse tashmë ekipet e njohin potencialin tonë. Kukësi është një ekip që jemi ndeshur dy herë siç thatë dhe ju dhe ne gjithashtu i njohim ata. Duhet të japim gjithmonë më të mirën tonë që të jemi vërtetë konkret për të marrë rezultate të mira. Ne na duhen pikët aq shumë në këtë moment ,sa çdo ndeshje është një mundësi shumë e mirë për ne. E tillë është dhe ndeshja e sotme me Kukësin.
Në Kukës këtë sezon kanë marrë pikë shumë skuadra, madje dhe me lehtësi, beson se Kamza mund të marrë pikë të plota në këtë takim?
Të them të drejtën, ne do provojmë dhe kjo është diçka e mirë që nuk ka faktor fushë, sepse Kukësi në shtëpinë e tij të lejon të luash, por gjyqtarët që arbitrojnë në Kukës nuk të lejojnë. Uroj që të mos ndodhë kjo, por të bëhet ndeshje e hapur.
Do ishte një rezultat pozitiv edhe barazimi në Kukës, apo tashmë ia keni vënë syrin Europës dhe nuk mjaftoheni vetëm me një pikë?
Ne jemi të kënaqur me çdo rezultat pozitiv, qoftë dhe një pikë, duke menduar se është një ndeshje në trasfertë. Nuk duhet të harrojmë që po luajmë me ekip kampion ne fuqi.
Shënuat ndaj Partizanit në fundjavën e shkuar, ndaj Kukësit në fazën e dytë keni realizuar dy herë, mund të jesh vendimtar edhe në këtë ndeshje?
Mundohem të jem rezultativ për ekipin tim, por nuk mund të jem deçiziv, sepse jemi një grup aty, dhe forca jonë është grupi. Po të jemi gjithmonë ashtu dhe performanca ime do të jetë akoma dhe më e mirë.
Ka pasur disa ndryshime në merkato, e shihni skuadrën më të forcuar se dy fazat e para?
Mendoj se kemi një ekip të plotësuar dhe mbi të gjitha, lojtarët që kanë qenë dhe ato që kanë ardhur kanë dëshirë për të bërë mirë. Mendoj se kjo do mjaftonte.
Te Kamza je kthyer në lider, pasi keni shënuar gola më shumë se çdokush tjetër në skuadër, mendon për të ardhmen?
Të them të drejtën dua ta mbyll me sukses këtë sezon me Kamzën. Për të ardhmen kemi kohë të mendojmë, do të shohim kur t’i vijë koha.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.