“Ta lehtëson punën si trajner”! Tetova vlerëson autorin e golit dhe nuk sheh kundërshtar: Egnatia ka kundërshtar… vetveten

Egnatia nuk ndalet dhe kërkon të sigurojë vendin e parë. Ekipi i drejtuar nga Tetova ka fituar me përmbysje kundër Laçit në shifrat 1-2.

Goli i parë u realizua nga kurbinasit, teksa William Cordeiro shënoi në të 23. Egnatia do të përgjigjej në pjesën e dytë teksa Montenegro në minutën e 62 dhe më pas Ibrahimoglu në të 68, do t’i jepnin tre pikët e arta ekipit të Tetovës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në MCN TV:

Tetova: “Pjesa e dytë ishte e gjitha që foli për ne. Ne lojtarët i kemi marrë që t’i përshtaten idesë time. Është futboll, edhe jemi mundur, do të luajmë futboll deri në fund, kemi ende shumë për të bërë. Për mua ne jemi kundërshtari i vetvetes. Ibrahimoglu? E njeh zonën shumë mirë dhe kjo ma lehtëson punën si trajner për të bërë atë që duam te porta e kundërshtarit. Patjetër që është lojtari që unë prisja, po rritet dita-ditës, por nuk është akoma në 100% e tij”

Cungu: “Komplimente Egnatias, e prisja reagimin e tyre të ashpër në pjesën e dytë. E prisja se për mua Egnatia është ekipi më i mirë në Shqipëri. Ndoshta na ndikoi tensioni për të mbajtur rezultatin. Nuk mbahet rezultati duke i dhënë terren dhe duke i lënë topin kundërshtarit. Nuk i kërkova ekipit të tërhiqej mbrapa, nuk e kam bërë kurrë në karrierë pasi është si të ftosh kundërshtarin që të jap një shuplakë të fortë. Dua të uroj djemtë e mi pasi luajnë futboll bio dhe jo “fake”. Egnatia do të jetë në finale në Final Four, për mua është ekipi më i mirë në Shqipëri. Sa herë do, Egnatia fiton, kur përton, lë pikë. Kundër nesh erdhi shumë e karikuar”