Pas ndeshjes me Ilirinë e Fushë-Krujës, që Dinamo e fitoi pastër 2-0, trajneri Igli Allmuça deklaron se skuadra është duke mbajtur ritmin e duhur në këtë vazhdimësi të Kategorisë së Parë. Duke qenë pjesë në Grupin A, Allmuça për SportEkspres.com thekson se synimi i tyre për të kapur kreun në renditje nuk është mbyllur.
“Të gjitha opsionet janë të mundura, sepse është vetë formula e fazës së tretë që e afron për të gjitha skuadrat. Ne si Dinamo do të vazhdojmë të jemi konstantë në synimin tonë”, theksoi Allmuça në këtë intervistë.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Igli, synimi i Dinamos në këtë sezon mbetet kreu i Grupit A?
-Ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë, duke i vlerësuar të gjitha ndeshjet njësoj dhe me synimin për t’i fituar. Kampionati ka hyrë në fazën më delikate të tij, pasi janë ndeshjet e fundit të fazës së dytë dhe skuadrat janë mobilizuar për të grumbulluar sa më shumë pikë.
Në këto 16 javë kampionat, çfarë mendoni se është përmirësuar te Dinamo nga sezonet e kaluara?
-Tashmë financat janë shumë më të sigurta, është afruar Artan Mërgjyshi si drejtor teknik dhe disa lojtarë cilësorë. Njëherësh, korrektesa ka bërë që lojtarë shumë të mirë të shprehin dëshirën e madhe të veshin fanelën e Dinamos. Kjo është një “armë” plus për vazhdimësinë tonë.
Qëndroni më shumë larg medias, mos po vazhdoni kështu rrugën e “nëndetëses” dikur?
-Ne si klub nuk duam të bëjmë bujë në media, jo më kot jemi quajtur si një “nëndetëse”. Në ecurinë tonë ne më shumë i përkushtohemi fushës së lojës dhe jo asaj mediatike. Ashtu do ta tradhtonim misionin tonë në futbollin e luajtur.
E keni një projekt për Dinamon e së ardhmes?
-Natyrisht që po. Këtë sezon po mendohet për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Projekti është shumë serioz, në mënyrë që Dinamo shumë shpejt të rikthehet në Kategorinë Superiore. Duke qenë se financat janë të garantuara për këtë projekt, kjo na motivon më shumë në punën tonë.
Në javën e 17-të do të luani në Peshkopi ndaj Korabit, një sfidë e vështirë kjo për fitore nga ana juaj?
-Natyrisht që është shumë e vështirë, edhe për faktin se Korabi është një nga skuadrat rivale për të qenë në pesë të parat në renditjen e Grupit A. Nuk i trembemi askujt nga rivalët tanë, por as edhe nuk i nënvleftësojmë ato. Synimi ynë janë tri pikët dhe besojmë se gjithçka është e mundur.
E mendoni fazën e tretë si mundësi për përmbysje në tabelën e renditjes për të gjitha skuadrat?
-Të gjitha opsionet janë të mundura, sepse është vetë formula e fazës së tretë që e afron për të gjitha skuadrat. Ne si Dinamo do të vazhdojmë të jemi konstantë në synimin tonë nga ndeshja në ndeshje, pa asnjë kompromis.