Synimi i Idrizit: Duam Europën, e kemi skuadrën

Administratori i Flamurtarit, edhe pse thotë që vlonjatët kanë si objektiv vetëm respektimin e fanellës, thekson se garimi në kompeticionet evropiane do ishte gjë e bukur

Elton Nika

Flamurtari ka zhvilluar një fazë përgatitore mjaft cilësore, por edhe merkato, duke u përforcuar me katër lojtarë, kryesisht në repartin e avancuar. Tashmë nga skuadra pritet të zhvillohet një kampionat cilësor, ndërkohë që edhe vetë administrator i klubit, Sinan Idrizi, pret më të mirën nga Flamurtari, mbi të gjitha respektimin e fanellës, atë çfarë ai e ka kërkuar gjithmonë dhe padyshim që skuadra e tregoi në pjesën e parë të kampionatit.

“Merkatoja e Flamurtarit mund të quhet e mbyllur. Tashmë nga kjo skuadër pres më të mirën. Padyshim që unë e kam deklaruar edhe më parë se qëllimi mbetet që lojtarët të respektojnë fanellën dhe këtë e kanë treguar mjaft mirë gjatë pjesës së parë të sezonit. Jemi në vend të dytë, por nuk kemi vendosur objektiva. Nuk duam të shtojmë presionin te skuadra, por thjesht të shohim ndeshjen e radhës. Ky është objektivi i kësaj skuadre, pastaj kupat e Europës. Gjithkujt i pëlqen që skuadra të përfaqësohet në kupat e Europës. Të gjithë e duam diçka të tillë, pra që në fund të kampionatit skuadra të jetë në kupat e Europës. Megjithatë, llogaritë bëhen kur të përfundojë sezoni”, deklaron administratori Idrizi.

Më pas ai fokusohet te merkatoja dhe në fund nuk mund të mos ketë ndonjë “thumbim” për Federatën.

“Thashë që është e mbyllur, por gjërat në ekip i di më mirë trajneri se kushdo tjetër, jo unë. Ne kemi lëvizur shpejt në merkato, duke afruar lojtarë që në muajin dhjetor. Të gjitha afrimet ishin pjesë e skuadrës në fazën përgatitore, duke e kryer të plotë fazën me pjesën tjetër të skuadrës. Besojmë se kemi bërë lëvizjet e duhura dhe ato që i duheshin me të vërtetë skuadrës. Megjithatë fusha është ajo që flet. Unë jam mjaft i kënaqur me këtë skuadër, me atë çfarë ka bërë deri më tani, por dihet që tani nis më e vështira. Të shpresojmë se nuk do të kemi më aq shumë gabime kundër nesh sa në pjesën e parë të sezonit. Zgjedhjet në FSHF? Era e re ka nisur të fryjë, duroni dhe prisni edhe pak”, përfundon administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *