Mesfushori tetovar: Eksperienca në të parën ishte pozitive, pasi vlente që të kisha minuta në këmbë, por te skuadra ku jam tani është tjetër standard
Jurgen Zela
Mund të konsiderohet pa frikë zbulimi i Kukësit në këtë fazë të parë. Në verë u afrua pa zhurmë, por me kalimin e javëve është shndërruar në një lojtar titullar dhe mjaft i rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Mlladen Milinkoviç. Valon Ethemi është vetëm 20 vjeç, por me një potencial për t’u admiruar. Pas një sezoni në Kategorinë e Parë me Mamurrasin, po bën mjaft mirë te kampionët. Ai është aktivizuar në 8 ndeshje, në 5 që nga minuta e parë dhe ka shënuar një gol. Për “Sport Ekspres” Ethemi flet për aventurën e tij si “kuksian”, për eksperiencën te Mamurrasi, objektivat me Kukësin dhe ndeshjen e ardhshme.
– Valon, nga Mamurrasi te Kukësi, një hap i madh për ju. E kishit menduar më parë?
– Të them të drejtën, nuk e kisha imagjinuar. E konsideroj një hap mjaft të madh, pasi të kalosh nga Kategoria e Parë te skuadra kampione e Shqipërisë, nuk është e lehtë, aq më tepër për një lojtar që është ende i ri. Jam shumë i lumtur që bëra këtë lëvizje, që deri më tani po rezulton e suksesshme.
– E njihnit Kategorinë e Parë, pse zgjodhe të bëje këtë lëvizje?
– Po, e kisha ndjekur më parë kampionatin shqiptar, por jo Kategorinë e Parë. I ndiqja shpesh ndeshjet e Superiores dhe vendosa të shkoja në Kategorinë e Parë, pasi është e rëndësishme që një lojtar të ketë minuta, të luajë. Po ashtu, kisha dhe fatin që të kisha dhe trajnerin Rezart Maho, i cili më ka ndihmuar shumë dhe dua ta falënderoj.
– Si ishin kushtet dhe infrastruktura apo pagat në Mamurras? I zhgënjyer nga eksperienca aty apo ia vlejti?
– Për kushtet mund të them se ishin të pranueshme. Për mua ishte një eksperiencë pozitive, por më vjen keq që në fund ramë nga kategoria.
– Si erdhi kalimi te Kukësi?
– Te Kukësi u afrova për t’u provuar. Stafi teknik më pas vendosi që të bashkohesha me ekipin dhe në fazën përgatitore. Në fund vendosën të më ofronin kontratë.
– Sa ndryshon niveli i Superiores me atë të Kategorisë së Parë?
– Të jem i sinqertë, kanë shumë ndryshim me njëra-tjetrën. Në Superiore është tjetër standard dhe kjo duhet pranuar se duhet ende shumë punë në Kategorinë e Parë.
– Jeni u kthyet në një titullar fiks te Kukësi, e prisnit këtë ecuri?
– Punoj shumë, mundohem të jap maksimumin, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje sa herë më kërkohet. Kukësi është kampion në fuqi dhe të them të drejtën, nuk e prisja që të më jepej kaq shumë besim. Ishte disi e pabesueshme për mua.
– Synime madhore, por 7 pikë pas Skënderbeut. Mendon se mund të arrihet titulli kampion?
– Ne kemi objektivat tona. Punojmë çdo ditë për t’i përmbushur. Është luajtur vetëm faza e parë dhe duhen dhe të tre të tjera. Edhe sezonin e shkuar Kukësi ishte në të tilla kushte, por në fund arriti që të shpallej kampion. Ne ecim me ambicie dhe besojmë te skuadra që kemi.
– Vetëm 20 vjeç dhe protagonist te skuadra kampione, cilat janë ambiciet tuaja?
– Primare për të gjithë ne është arritja e objektivave të ekipit. Jam shumë i fokusuar të jap maksimumin te skuadra e Kukësit. Nëse ekipi ecën mirë, atëherë dhe ne do të kemi një paraqitje të mirë. E theksoj se skuadra është mbi të gjitha.
– Ndeshja me Kamzën duket vendimtare, pasi keni marrë dy barazime radhazi. Ka presion ne skuadër për të marrë me çdo kusht fitoren?
– Nuk mund të them se ka presion. Po punojmë shumë që të kthehemi te fitorja. Ne synojmë të marrim titullin dhe do të kërkojmë fitoren në çdo ndeshje. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.