Superiorja në oazin e futbollit, miliona dhe VIP-a

Krejt ndryshe nga rajoni, shumë para, rroga të çmendura, emra të mëdhenj si Panuçi, Juliano, Ze Maria, Moxhi. Stadiumi i ri kombëtar dhe shumë emocione sportive. Ndoshta ende jo biznes i mirëfilltë, por marketingu po bëhet gjithnjë e më i madh.

Partizani i Beogradit në vitin 2007 pagoi 300 mijë euro për Marko Çetkovic. Nipi i Predrag Mijatoviç, malazez, ishte një premtim i madh. Asnjëherë nuk shkoi në nivelin e dajës. Luajti pothuaj gjithnjë një Ballkan dhe në moshën 28-vjeçare zbarkoi në Laç. 45 ndeshje dhe 11 gola. “Në Shqipëri gjërat nuk funksionojnë si në pjesën tjetër të rajonit – thoshte Marko pasi u largua këtë verë nga Partizani – mosha nuk ka asnjë rëndësi. Në vendet sllave nëse je më shumë se 26 vjeç, pagesat janë të vogla. Në Shqipëri nuk duan t’ia dinë. Tregu funksionon me publicitet. Nëse bën një sezon të mirë, janë të gatshëm të të blejnë të gjithë”. Çetkovic sot është 31 vjeç dhe sezonin e shkuar luajti me Partizanin, ku fitonte 7 mijë euro në muaj. Ato para nuk do t’i marrë kurrë më. Për momentin, luan në Podgoricë, me Mlladostin.

Në Shqipëri për futbollin shpenzohen shumë para. Madje në humb raste më shumë se sa në rajon. Pagesat janë të larta dhe shumë logjikë mes të ardhurave dhe shpenzimeve nuk ka para. Shpesh kokat e ftohta bëhen të nxehta dhe argumentet e biznesit nuk funksionojnë. Është praktikisht një oaz. Në Kroaci, për shembull, përjashto Dinamon e Zagrebit, të tjerët funksionojnë në mënyrë modeste. Po kështu dhe në Serbi. Në Bosnjë dhe Mal të Zi nuk bëhet fjalë. Maqedonia është më specifike. Ka dy klube me buxhete shumë të larta, por Vardardi është, le të themi, me pronarë rusë, ish-bashkëpunëtorë dhe miq të Gruevskit, konkurrencën e ka rritur Shkëndija që ka pronare familjen Destani. Pavarësisht pagesave të larta, ata kanë një linjë, Vardar me lojtarë maqedonas, Shkëndija me shqiptarë.

Shqipëria ka pasur gjithnjë në ëndërr që në futbollin e saj të ketë emra të mëdhenj. Kempes, finalisti dhe fituesi i Kupës së Botës në 1978 me Argjentinën, erdhi në mesin e viteve ‘90, në kohën kur firmat piramidale ishin në lulëzim e sipër. Ai u bë trajneri i Lushnjës. Thonë që mori 200 mijë dollarë, një shifër e pakonceptueshme për kohën. Ai nuk është i vetmi. Shpesh kampion bote dhe Europe, lojtarë e trajner me CV të mirë, por në perëndim të karrierës, emra sugjestionues, zhgënjyer shumica por me impakt publik, kanë zbarkuar në kombëtare dhe Kategorinë Superiore.

Emri i fundit i madh është Luçiano Moxhi. Çfarë e shtyn një 81-vjeçar me atë të shkuar të punojë në Shqipëri? Pyetja më e drejtë do ishte: Çfarë e shtyn një klub shqiptar të afrojë këtë personazh dhe përse nuk e bëjnë të tjerët në rajon? “Më sillni Josën”, thërriste presidenti i Prishtinës, i cili mendon dhe punon si shqiptarët e tjerë. “Dua emra, futbolli ka nevojë për emra”. Ndoshta, në marketing kështu punohet.

Kur po i thosha njeriut që bën merkaton te Dinamo e Zagrebit, duke ngrënë byrek me dhallë pranë stadiumit “Elbasan Arena”, se Moxhi është në Shqipëri, hapi sytë. “Njësoj sikur ne të marrim Ferguson, – më tha duke qeshur – ne nuk jemi tregu i tyre, jemi tjetër pazar”, më tha dhe më shkeli syrin.

Fillimisht nuk e kuptova çdo me thënë kjo “tjetër pazar”. Më pas u ftillova. Presidenti i Partizanit, Demi, në konfidencë, më pat thënë një herë që “nuk jam budalla. Moxhi mund të më shesë lojtarë, sepse ka njohje. Plus do sjellë lojtarë në huazim. Pastaj dhe emër, është, bëhet edhe pak marketing”. Deri tani… hmmm… marketing po, lojtarë jo.

Ngelëm shumë te Moxhi, por ndërkohë që te fqinjët e tjerë të qyteti, te Tirana ka mbërritur një lojtar anglez që quhet Majkëll Ngo. Njësoj si një hungarez i Partizanit, i cili ka qenë pjesë e Liverpulit. Liverpuli është gjë e madhe, dhe kur e thua dridhesh, por duhet kuptuar se ata sot janë në nivelin tonë dhe të thuash ish-Liverpul është e ekzagjeruar. Në Korçë ka mbërritur një lojtar i cili ka luajtur në disa skuadra çeke, ndërsa në Kukës, një sulmues që ka shëtitur në ekipet më të madh në Azerbajxhan, aty ku thonë se paguhet sot sa ne Kempesin para 20 viteve. Fiks para 20 viteve.

Në të njëjtën ditë presidenti i federatës inspektonte punimet e stadiumit “Arena kombëtare”, dhe ndonjëri nga ju nuk do ta besojë, po stadium si shumë vende që në rajon nuk e kanë. Po, po, nuk e kanë. Në Podgoricë luajnë ende në stadiumin e vjetër, një tipik sllav, ku tribuna përballë është e vogël, ndërsa tribuna qendrore e madhe. Në Sarajevë kanë një stadium olimpik, Bosnja luan në fakt në Zenica, ndërkohë që “Maksimir” në Zagreb është një stadium “për t’u hedhur në plehra”. Ka që në 1996 që askush nuk vë dorë. Në Beograd ka premtim për nisjen e projektit për ndërtimin e stadiumit, por ndërkohë luhet në Marakana ose në Partizan, dy impiante tërë histori, por shumë, shumë amortizim. Vetëm në Shkup është ndërtuar stadium i ri dhe në Ljubjanë, një 17 mijë vendësh, i mbledhur, tipik futbolli, shumë i këndshëm.

Nga dalin gjithë këto para dhe a do vijë dita që e gjitha kjo të shndërrohet në një biznes? Vështirë. Vështirë, sepse nëse investohet kaq shumë në “ish”, lojtarë, trajnerë drejtues, e kushedi se cfarë, do harxhohen paratë dhe nuk do jetohet me realitetin. Nuk janë vetëm këto para, janë edhe udhëtimet, janë biletat, janë dhe shtëpitë, makinat, janë kushedi sa financa të tjera të harxhuara. “Në Mal të Zi nuk ka pothuajse asnjë të huaj”, të thotë Çetkoviç. Mund të qëndrojë si ide, por futbolli malazez nuk ka asnjë përmirësim. Asnjë skuadër e tyre nuk ka shkuar në grupet e Europa Ligës.

Në oazin e futbollit shqiptar mund t’i dëgjosh nga të gjitha. Laçi ka marrë një lojtar nga Arabia Saudite, ndërsa te Vllaznia luan një sulmues ganez me pasaportë italiane. Një japonez, një brazilian dhe një kroat luajnë së bashku në Kamzë, ndërkohë që në Vlorë sulmuesit janë kroatë dhe brazilianë. Portieri është boshnjak, por me origjinë shqiptare, pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

Për të kuptuar se sa shumë po shpenzojmë dhe sa të varur jemi nga futbolli i madh dhe emrat sugjestionues, mjafton t’iu tregoj një detaj. Trajneri i Kombëtares është Kristian Panuçi, ai i Partizanit Mark Juliano, ndërsa ai i Tiranës Ze Maria. Milan, Juventus dhe Inter i mesit të viteve 90’ në Serinë A, atë kampionat që të gjithë e shikonim duke ëndërruar që një ditë te jemi dhe ne si ata. Tani gjithë ky pasion, krejtësisht i veçantë në një Ballkan që operon krejtësisht ndryshe duhet të shndërrohet në para dhe biznes. Që të mos i ngjajë formave piramidale të Kempesit dhe të ketë jetëgjatësi.

Kur Ze Marinë e pyetën dhe i thanë që Juliano ka shkuar te Partizani dhe Panuçi te kombëtarja, u hutua dhe s’po kuptonte më asgjë. “Mua më kanë thënë që Tirana është Juventus, por Panuçi paska përfituar më shumë nga të gjithë”. Ndërkohë Juliano u shfaq para një jave në konferencë për shtyp dhe tha: “Kampionati shqiptar qenka më i bukur se sa mendoja, madje shumë më i fortë”, ndërsa Ekuabn që shkoi te Lidsi tha: “Në Shqipëri u bëra futbollist”.

Si çdo gjë në këtë vend, është e vështirë të krijojmë një ide fikse se a është ky oazi i duhur apo jo. “Super vend – të thotë Marko Çetkoviç – para, futboll, alkool, presidentë, tifozë”.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online