Superiorja me sfida që ndezin emocionet e mëdha, vëmendja te Teuta-Partizani ku diskutohet titulli

Sot në orën 17:00 do ta luhen të gjitha ndeshjet e Superligës Shqiptare. Tirana pret në shtëpi Laçin, në një ndeshje të vlefshme për kualifikimin në Europë. Laçi do të kërkojë të luajë deri në fund shanset për titullin, ndërsa Tirana lufton për Europën. Kukësi-Bylis është një sfidë mjaft e rëndësishme për ballshiotët. Teksa veriorët i kanë mbyllur hesapet me kampionatin, tek Bylisi kanë filluar drithërimat e rënies nga kategoria. Një fitore në Kukës do të sillte shpresën tek kampi jugor.

Skënderbeu-Apolonia duket një ndeshje mjaft e lehtë në letër për vendasit, të cilët po kalojnë një moment mjaft të mirë. Megjithatë nëse duan te fitojnë, korçarët duhet të kenë përqendrim maksimal, nëse nuk duan të bëjnë gabimin fatal. Vëmendja kryesore është pikërisht në ndeshjen Teuta-Partizani, aty ku do të luhet përballja direkte për titullin kampion. Një barazim ose fitore e durrsakëve do t’u jepte praktikisht titullin kampion që ditën e sotme. Nga ana tjetër fitorja do e dërgonte Partizanin në vend të parë, megjithatë do të duhej ta mbronin këtë pozicion një javë më pas ndaj Vllaznisë.

Vllaznia-Kastrioti është ndeshja e fundit e orës 17:00. Të dyja skuadrat luajnë per objektivat e tyre. Vllaznia ndodhet në vendin e katërt dhe një fitore do ta dërgonte në vendin e tretë, ndërsa krutanët janë në kërkim të pikëve që mund ta shpëtojnë nga përfundimi fatal i rënies në Kategorinë e Parë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *