Liga profesioniste ende nuk ka nisur të marrë jetë plotësisht, por klubet janë duke punuar dhe planifikuar gjithçka në lidhje me të ardhmen. Ditën e sotme ka pasur një takim në Federatën Shqiptare të Futbollit, por vetëm pesë prej klubeve kanë pasur përfaqësues.
Edmond Hasanbelliu (Teuta), Refik Halili (Tirana), Geri Burba (Partizani), Pashk Laska (Laçi) dhe Besnik Kapllanaj (Bylisi) ishin në takim me zëvendëspresidentin e FSHF-së, Edvin Libohova. Ky i fundit do të jetë edhe kreu i Ligës.
Mbledhja e bërë ka pasur tematika të rëndësishme dhe mes shumë gjërave është diskutuar për paketën e re fiskale që do të lehtësonte klubet shqiptare të futbollit nga taksa të ndryshme. Kryeministri Edi Rama ka premtuar lehtësira për ata që investojnë në sport.
Deri më tani ka pasur disa takime, por ende nuk ka asnjë ndryshim. Libohova, pas takimit me drejtuesit e pesë klubeve, ka deklaruar për mediat: “Presim paketën ligjore nga qeveria dhe nëse vendimet aty nuk përputhen me kërkesat tona, atëherë do të shohim si do veprojmë”.
Një opsion është shtyrja e kampionatit, programuar të nisë më 24 gusht. Problemet financiare të klubeve, që kanë borxhe të shumta në Tatim Taksa, sjellin këtë situatë të paprecedentë në futbollin shqiptar. Tirana, Flamurtari, Luftëtari dhe Vllaznia rrezikojnë të mos regjistrohen në kampionat.
Libohova nuk nxitohet të lëshojë ultimatume, apo të konfirmoje shtyrjen e kampionatit. “Duhet të presim draftin e qeverisë, që më pas të japim vendimin tonë”, u shpreh Libohova.