Napoli zhvilloi një ndeshje të madhe përballë Liverpulit të mërkurën, duke marrë tre pikë të rëndësishme për ecurinë në Champions. Goli i Insinjës në minutën e fundit shpërtheu festën në “San Paolo”.
Djemtë e Ançelotit zhvilluan një takim perfekt, duke mos i lejuar hapësira kundërshtarëve dhe duke bllokuar sulmin e frikshëm të “The Reds”. Një detaj i veçantë dhe pothuajse i pabesueshëm është regjistruar gjatë ndeshjes së zhvilluar në Itali.
Ekipi i Jurgen Klop nuk ka goditur asnjëherë kuadratin e portës gjatë gjithë 90-minutëshit. Portieri Ospina ishte një “spektator” gjatë ndeshjes dhe nuk pa një top të vinte në drejtim të portës së tij.
Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur prej 6 vitesh, që nënkampionët e Europës të mos godisnin në kuadrat. Ditë jo për sulmin e anglezëve, por meritë e madhe e skemave të Ançelotit dhe djemve të tij, të cilët merituan fitoren dha tashmë kryesojnë me katër pikë grupin e “ferrit”, ku bëjnë pjesë dhe PSG e Cërvena Zvezda.