Super Leao merr për dore Milanin, “djalli” pushton Fiorentinën dhe thellon diferencën me Juventusin

“Djalli” ka pushtuar Fiorentinën. Milani ka fituar me rezultatin 1-2 në “Artemio Franki”. Pjesa e parë e lojës ka përfunduar me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ka nisur vrullshëm për të dyja skuadrat. Leao tregoi cilësitë e tij prej lojtari të madh, duke marrë për dore Milanin në fraksionin e dytë të lojës.

Vetëm dy minuta pas nisjes së pjesës së dytë të lojës, Leao dha një asist me thembër për Loftus Çikun, i cili pak metra larg portës nuk e pati të vështirë ta shtynte topin përtej vijës fatale. Në minutën e 50 Dunkani barazoi rezultatin, por festa e vjollcëve zgjati pak. Tre minuta më vonë ishte Rafael Leao ai që, pasi kaloi edhe portierin, e dërgoi qetësisht topin në rrjetë. Milani fitoi kështu me rezultatin 1-2, duke thelluar diferencën në 6 pikë me Juventusin që gjendet një pozicion më poshtë në renditje, në vendin e tretë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/