Skandali i ditës së sotme, me Ernest Gjokën që është sulmuar nga një person në stërvitjen e Vllaznisë, ka alarmuar gjithë qytetin dhe është një ngjarje që ka tronditur të gjithë, jo vetëm në qytetin verior.
Me një komunikatë zyrtare, Bashkia Shkodër ka dënuar ashpër ngjarjen dhe ka kërkuar zbardhje sa më të shpejtë të saj, ndërsa kërkon nga FSHF-ja që ndeshja e së shtunës në Gjirokastër të shtyhet, duke parë situatën e krijuar.
DEKLARATË PER SHTYP
Bashkia e Shkodrës dhe KF Vllaznia janë njohur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Fushën e Lëkurave, ku pas stërvitjes është goditur dhe kërcënuar me jetë trajneri i ekipit të parë Ernest Gjoka.
Menjëherë, trajneri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe te Klubit, kane komunikuar me Policinë e Shtetit duke i vënë në dijeni për ngjarjen, si dhe duke u kërkuar zbardhjen e plote te saj dhe arrestimin e agresorit.
Ky akt i turpshëm, i cili nuk ka lidhje me qytetarinë e spikatur shkodrane, dënohet me vendosmërinë me te madhe nga ana e Bashkisë, Klubit, stafit drejtues- teknik dhe futbollisteve. Nuk përjashtojmë mundësinë e një prapavijë të qëllimtë, ndoshta edhe te sponsorizuar por qe mbetet ne duart e organeve kompetente që të zbardhet plotësisht.
Aktin e goditjes dhe të kërcënimit me jetë me armë të ftohtë – thikë, të trajnerit Gjoka, futbollistët, stafit teknik dhe drejtues të KF Vllaznia, Bashkia e Shkodrës dhe tifozët e shumtë e konsiderojnë si goditje të qëllimshme, të mirëmenduar të dikujt/disave që duan të dëmtojnë Vllazninë në momentin e saj ndoshta më të mirë.
Në këto kushte, Klubi dhe Bashkia e Shkodrës do t’i kërkojnë FSHF-së shtyrjen e takimit me Luftëtarin ne Gjirokastër në një datë tjetër.