Sfida play-off mes Suedisë e Italisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo thjesht për prestigj dhe pjesëmarrje në Botëror, por edhe në aspektin financiar.
Sky Sport 24 ka analizuar gjithë të ardhurat e mundshme që Federata Italiane do të kishte të garantuara në rast kualifikimi: “Mund të themi që kjo sfidë e dyfishtë vlen 100 milionë euro, sepse kualifikimi në Botëror është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në aspektin ekonomik”, tregon një nga gazetarët e Sky.
“Së pari, Botërori këtë radhë ka shifra rekord për pjesëmarrësit, ndërkohë që 43 milionë euro vijnë nga sponsorët dhe kontratat e firmosura nga Federata. Puma, për shembull, jep rreth 19 milionë euro fikse, si dhe të ardhura të tjera nga shitja e fanellave, që pritet të jenë mbi 1 milion në rast kualifikimi. Në rast dështimi, humbjet do të jenë të mëdha për të ardhmen. Pastaj, 26 milionë euro vijnë nga e drejta televizive dhe për ndeshjet e Botërorit rreth 17 milionë italianë janë para televizorit, shifra të çmendura, që Italia i humbet nëse nuk shkon në Rusi.
“Gjithashtu, në rast dështimi shkojnë dëm miliona euro premio nga FIFA, që paguan për kualifikimin, për kalimin e çdo turi, për çdo fitore e me radhë. 10 milionë euro janë të garantuara thjesht për kualifikimin ndaj Suedisë, 8 milionë për kalimin e grupeve”.