Largimi i Simone Inzagit mund të ndryshojë edhe vendimin për të ardhmen te Tomas Strakosha. Portieri shqiptar u la në stol përgjatë këtij sezoni dhe për këtë arsye largimi dukej e vetmja rrugë për të. Por me largimin e Inzagit drejt Interit ndoshta situata do të vlerësohet edhe njëherë nga fillimi. “Radiosei” raporton se Strakosha nuk dëshiron të përsëritet e njëjta histori, prandaj për të rinovuar kontratën me Lacion kërkon siguri për vendin e titullarit.
Ndërkohë në Itali lind edhe një tjetër pistë mbi të ardhmen e gardianit të Kombëtares shqiptare. Atalanta me shumë mundësi do të shesë portierin Golini dhe njëra mundësi është shkëmbimi me Tomas Strakoshën. Megjithatë në listën e bergamaskëve janë edhe 3 alternativa të tjera, për këtë arsye mbetet për tu parë se si do të rrjedhin gjërat./Halit Delibashi-Sport Ekspres/