Presidenti i Federatës, pas largimit të trajnerit italian thekson se kandidati si pasues duhet të nisë të bëjë mirë që nga katër ndeshjet e mbetura, pra kualifikueset e Rusi 2018. SuperPipo, një blof i madh
Anton Cicani
Kush do ta drejtojë kombëtaren pas De Biazit? Dilemë që pret të marrë zgjidhje në javët e ardhshme, sepse presidenti Armand Duka nuk dëshiron të nxitohet. Ka ditë që presidenti i Federatës takohet ose bisedon në telefon me trajnerë e menaxherë, aq sa lista është bërë shumë e gjatë dhe nuk merret më vesh kush janë realisht kandidatë. E sigurt duket që trajneri i ri do të jetë italian dhe me eksperiencë, por për Dukën prioritet nuk është kombësia, sepse ai po kërkon një trajner me eksperiencë dhe me një emër të madh. “E sigurt është që nuk do të marrim një trajner që do të drejtojë për herë të parë. Po kërkojmë dikë me ekperiencë, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Nëse do të ketë edhe emrin e madh, padyshim që ky është një bonus”, ka thënë Duka në një intervistë të sotme.
Ndonëse po luajmë ende në kuslifikueset e Botërorit 2018, Duka është realist dhe kërkon trajner që të na kualifikojë për në Europianin e 2020-s. “Kandidati duhet të bindë se mund ta bëjë shumë mirë këtë punë. Duhet të pranojë veç kriterit financiar tonit edhe objektivat që kemi. Vërtet jemi matematikisht jashtë eliminatoreve të Botërorit 2018, por duhet t’i mbyllim mirë këto 4 ndeshje të mbetura dhe të na kualifikojë në Europianin e 2020-s”, ka theksuar Duka.
Blofi “Pipo” – Sakaq, “Sport Ekspres” ka mësuar se Filipo Inzagi, i shumëpërfoluri për stolin e Shqipërisë, si kandidat post De Biazi, ka luajtur me emrin e Shqipërisë dhe se kurrë në drejtim të tij s’ka pasur asnjë ofertë nga presidentit të FSHF-së, Armand Duka, por ishte thjesht një sugjerim i një ambjenti menaxherësh. Në fakt, Inzagi e ka pritur këtë lajm me shumë interes dhe deri në fund ka shpresuar që kuqezinjtë t’I bëjnë një telefon, pasi do të kishte lënë Venecian “me vrap”, për të ardhur te stoli kuqezi, por kjo s’ka ndodhur. Motivi është i thjeshtë: Duka nuk e konsideron Inzagin si gati dhe se do të ishte një autogol i madh për rindërtimin e kombëtares dhe hapjen e një cikli të ri. Praktikisht, Inzagi bëri një publicitet dhe përdori Shqipërinë, ashtu sikurse edhe emra të tjerë, duke marrë edhe atë “status” në mediet e ndryshme përtej Adriatikut.