Ishte një ndeshje pa vlerë në letër dhe aty rezultoi edhe në realitet ajo e mbrëmshmja mes Liverpulit e Portos, në kthimin për 1/8-at në Champions League. Përfundoi 0-0, ashtu si emocionet në “Anfield”, sepse realisht askush në fushë nuk e kishte me qejf që të lodhej e vraponte kot. Liverpuli kishte fituar 5-0 në vajtje dhe nëse ndokush priste ndonjë betejë, ka ngatërruar ndeshje.
Është kualifikimi i parë për në çerekfinale për Liverpulin, që prej sezonit 2008-09, ndaj vështirë se ndokujt i ka mbetur peng paraqitja e mbrëmshme. Jurgen Klop bëri 5 ndryshime nga formacioni që mundi Njukasllin të shtunën në kampionat, me yllin e skuadrës Mohamed Salah që u ul në stol, ndërsa Adam Lalana luajti ndeshjen e parë në formacion pas dy muajsh.
Sadio Mane pati dy raste të pastra në pjesën e parë, duke goditur një herë shtyllën, ndërkohë që edhe Lovren, Milner e Firmino humbën raste të mira, para se Oliver Torres për miqtë t’i shkonte pranë golit në fund, por Lovren bllokoi gjuajtjen e tij. Të shtunën Mançester Junajtid-Liverpul, ajo është ndeshja që vlen realisht për Liverpulin, pasi Klop synon të sigurojë sa më shpejt një ndër 4 vendet e para në Premier Ligë, për të menduar më pas vetëm për Champions League.
E martë, ora 20.45, “Anfield”
Liverpul – Porto 0-0
Liverpul: Karius, Gomez, Matip, Lovren, Moreno, Xhan (Klavan 80’), Henderson, Milner, Lalana, Mane (Salah 74’), Firmino (Ings 62’)
Porto: Casillas, Maksi Pereira, Felipe, Rejes, Dalot, Kosta, Torres, Andre Andre (Oliveira 62’), Korona, Abubakar (Pasiensia 80), Ëaris (Rikardo 68’)
Kartonë të verdhë: Henderson / Andre, Dalot
Gjyqtar: Feliks Zvajer