Vetëm pak javë te Steaua e Bukureshtit, për t’u rikthyer në radhët e Politeknika Iashit, klubit ku shkëlqeu gjatë sezonit të kaluar. Kamer Qaka u kthye në çështjen e ditës në Rumani, pasi Xhixhi Bekali këmbënguli fort t’a afronte në skuadrën e kryeqytetit, pagoi 375 mijë euro për kartonin dhe në fund e dërgoi në huazim te skuadra nga e cila e bleu.
Veprimet e çuditshme të presidentit të Steaua-s me 23-vjeçarin shqiptar u komentuan nga ish-trajneri i Dinamos së Bukureshtit dhe CFR Kluzh, Vasil Miriuta, i cili doli në mbrojtje të Qakës, madje duke mos i kursyer krahasimet e mëdha.
“Nuk duhej ta kishin larguar. Kameri është një lojtar shumë i mirë. Në ndeshjen e parë, pas rikthimit te Politeknika Iashi u paraqit shumë mirë dhe ishte vendimtar për ekipin. Për mendimin tim, te Steaua e lanë shumë shpejt të largohej. Nuk duhej të merrnin një vendim kaq të nxituar. Lojtari u transferua në një skuadër të re, në një ambient të panjohur dhe nuk është asnjëherë e lehtë!”, tha Miriuta për gazetën “ProSport”.
Trajneri vazhdoi: “Shembulli më i mirë është Zinedin Zidan kur u transferua te Reali i Madridit: Fillimisht u ambientua me ekipin dhe ambientin dhe më pas luajti si Zidan që të gjithë e njihnin. Futbolli është i tillë, në një skuadër të re mund të luash mirë prej fillimit dhe më pas të pësosh rënie sportive, ose mund të mos përshtatesh për dy muajt e parë dhe më pas të shkëlqesh në vazhdim”.