Starton Seria A, Juve s’është më “galaktike”

0

Bardhezinjtë pa Bonuçin dhe me më pak uri se vjet, do të luftohen nga Milani i frikshëm i epokës kineze, Napoli i Milikut dhe Interi i Spaletit. Roma do të zbresë në fushë pas 20 viteve pa Totin

Gati për start. Ka nga ata që kanë ëndërruar nën çadër, apo edhe nga ata që kanë humbur pjesët apo që kanë ridimensionuar dhe ndryshuar gjithçka. Ka tifozë të zhgënjyer për merkato të munguara dhe tifozë që mezi presin për të mbushur stadiumin – siç nuk ndodhte prej vitesh – pavarësisht se është gusht dhe vapa është e padurueshme.
Mirë se u riktheve Seria A. Me të reja të ndryshme, më pak siguri dhe shumë dëshirë për të përmbysur hierarkitë që po dominojnë prej gjashtë vitesh të gjata. Juventusi përpara të gjithave, më pas luhet për “pjesët e mbetura të tortës”. Vendi i “nderit” për “motrat e tjera” të bardhezinjve që nga 2011-a e deri tani ka qenë vetëm ai i pjesëmarrjeve në Champions. Ndërsa tani, pas një vere bardhezi të tensionuar dhe më largime, shpresat nuk mungojnë. Për të tentuar, pse jo, të arrihet atje ku prej gjashtë vitesh duket e pamundur, vendi i parë. Ja pra edhe një analizë e Serisë A të re që do të luftojë për titullin, pa harruar Atalantën që fluturon në Evropë. Mirëseardhje për Beneventon, debutuese absolute dhe një rikthim të mbarë për Spal-in, që mungonte prej dhjetë vitesh.

MBAHET JUVENTUSI – Mbetet favorit, kjo të jetë e qartë. Por kanë humbur kokë dhe këmbë në mbrojtje (Leo Bonuçi) dhe njeriun më ekspert në momente të vështira, Dani Alveshin, që vitin e shkuar ishte transformuar në “Mister Ëolf”-in e Champions League-s. Të paktën në finalen e Kardifit. Mbetjet e finales duhet të harrohen, por pas gjashtë viteve fitore është e vështirë që ato t’i kthesh në energji për kampionatin. Ka marrë Matuidin dhe Dagllas Kostën. Megjithatë, duhet një tundje psikologjike. Edhe sa uri kanë ende bardhezinjtë? Kjo është pyetja e duhur.

NAPOLI ME TRIDHËMBËSH – Blerje të vërteta, nuk ka pasur. Skuadra, në substancë, është e njëjta e vitit të shkuar. Edhe pse ka një tjetër mentalitet. Dhe ishte pikërisht mentaliteti që Napoli pagoi në fund të sezonit të shkuar. Pastaj është ai, përforcimi “i shtëpisë”. Arkadius Milik. Sulmuesi polak rikthehet pas një sezoni të vështirë për shkak të dëmtimit të tij të rëndë. Sarri ka një “tridhëmbësh” të vërtetë, të kompletuar dhe pa “firo”. Të shkretat mbrojtje që do të duhet të ndalin skuadrën më me harmoni në Serinë A.
MILAN I FRIKSHËM – Bonuçi, Konti, Kesie, Bilia, Andre Silva, e kështu me radhë. Shumë blerje shpesh janë sinonim i kohës që duhet për t’i integruar. Detyra për këtë do t’i takojë blerjes së parë dhe të vërtetë të epokës kineze, Vinçenco Montelës. Në realitet ai ishte edhe vjet, por këtë vit duhet të bëjë kujdes me potencialin “atomik” që ka në dispozicion. Sfida e vërtetë, në një skuadër të ribërë por jo detyrimisht të barabartë ndërmjet lojtarëve titullarë dhe rezervave është që të mbajë ritmin për 9 muaj dhe në dy kompeticione.

INTERI KA NJË SPALETI PLUS – Kanselo nga Valencia “in extremis”, tentativa për Dalbert, siguria Borha Valero dhe “basti” Skriniar. Dhe kryeblerja e erës Suning në stol, Luçiano Spaleti. Vlera e shtuar e këtij Interi duhet të jetë pikërisht ai në një verë pa “fishekzjarre” për zikaltërit, të paktën deri në këtë moment kur merkato nuk është mbyllur ende. Të njëjtët muaj të nxehtë në kërkim të një ekuilibri të humbur tashmë prej 7 vitesh.

E PARA E ROMËS PA TOTIN – Një simbol 20-vjeçar që është larguar (Françesko Toti) dhe një tjetër që në Romë ka lënë kujtime të mëdha dhe që rikthehet, Eusebio Di Françesko. Me futbollin e tij “shampanjë”, gjejmë edhe tendencën e tij për të sulmuar. Dhe pjesët “e rëndësishme” të kësaj skuadre kanë qëndruar, siç janë Naingolan dhe Xheko, teksa lamtumira e Salah është, deri diku, e zëvendësueshme me Defrelin. Ardhja e ish lacialit, Kolarov është një tjetër plus për Di Françeskon.

LACIO ME NJË SUPERKUPË MË SHUMË – Ka futur në “xhep” Superkupën italiane, duke duke ia “rrëmbyer” menjëherë trofeun Juventusit. Nga ana tjetër, kualiteti i Simone Inzagit ishte parë që vitin e shkuar. Tani ai ka humbur krahun e tij të djathtë në fushë (Bilia, i zëvendësuar me Lukas Leivan) dhe duhet të bëjë llogaritë gjithmonë me një skuadër të ridimensionuar. Por mund të jini të sigurt. Nëse ndonjë të diel do të doni të dëfreheni, nga tani, deri në maj, ndiqni Lacion.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.