Alegri: Juve, kujdes mendjemadhësinë!

0

Trajneri i bardhezinjve, përpara ndeshjes së sotme me Kaljarin: “Nëse nuk fitojmë do të jemi të gjithë nën akuzë. Ajo që kemi bërë është thjesht histori, tani nis malorja”

“Punë, guxim dhe urtësi”. Maks Alegri prezantohet në vigjilje të ndeshjes së sotme me Kaljarin me idetë e qarta dhe me ndërgjegjen se për titullin e shtatë radhazi, Juventusi duhet të djersijë. “Çdo vit pritshmëritë rriten dhe ulet marzhi i gabimit. Të fitosh për të shtatin vit radhazi do të jetë shumë e vështirë. Jemi favoritë, por vetëm nëse do të futemi në fushë me kokën ulur dhe të punojmë ashtu si të tjerët. Nuk do të jemi favoritë nëse do të zbresim në fushë me mendjemadhësi se e kemi fitoren të sigurt. Nesër në orën 18:00 do të kemi zero pikë ashtu si të tjerët dhe sezoni do të jetë më i ekuilibruar se vitet e tjera. Duhet qetësi dhe ekuilibër”.

MESFUSHA — “Sot nuk ka sens të flasim për merkato, nuk ka pasur asnjë kundërshti për strategjinë e përdorur nga klubi. Numerikisht në mesfushë kemi nevojë për një lojtar më shumë, për Matuidin do të flasim më vonë. Nuk e di ende nëse do të jetë, apo jo, titullar”.

DIBALA I ARTË – “Paulo nuk ka pasur presionin e fanellës me numër 10, ka një karakter të jashtëzakonshëm dhe objektiva të qartë. Për të është një sezon i rëndësishëm, ai duhet të konfirmohet në Itali dhe Evropë. Është i ri dhe ka cilësi të mëdha, do të bënte gabim nëse do të mendonte se është që tani top. Ka ende edhe shumë rrugë për të bërë, por duhet të vihet në diskutim. Duhet të bëjë një kampionat të jashtëzakonshëm.

SUPERKUPA — “Superkupa nuk ka fshirë gjithçka. Ka qenë një ndeshje shumë e shëmtuar teknikisht, kemi gabuar shumë topa, duhet të bëjmë më pak gabime teknikisht në topat që luajmë. Humbja na ka hequr pak besimin. Askush nuk priste të humbiste dhe kur mendon se fiton, atëherë humbet. Kjo është diferenca që është mes një skuadre mendjemadhe dhe sipërfaqësore dhe një skuadrë të vëmendshme dhe të kujdesshme. Lacio, të dielën, ka fituar ndeshjen me meritë maksimale”.

GATI PËR START – “Kemi rivendosur prizën. Shpresoja të bëja më keq me miqësoret, por kanë shkuar shumë mirë. Për të qëndruar në nivele të larta në Evropë ekuilibri mendor është shumë i rëndësishëm. Nëse nuk do të mundim Kaljarin jemi të gjithë nën akuzë, ajo që kemi bërë mbetet në histori, viti i shkuar tani nuk vlen më asgjë, duhet të mendojmë për këtë sezon. Lojtarët duhet të jenë të përgjegjshëm vetë, trajneri nuk është një qen roje”.

MODELI REAL — “Në finale ndoshta kishte shumë më tepër bindje, bota Juve ka pasur shumë pak respekt për Realin. Ata e kanë fituar sepse janë thjesht më të fortët dhe e kanë treguar këtë në 6 vitet e fundit. Kanë fituar 3 Champions League në 4 vite. Kemi luajtur 50’ të barabartë me ta, kur ata e kuptuan që ishim në vështirësi, na masakruan. Mund të bëjmë një Champions të jashtëzakonshëm vetëm nëse bëjmë një kampionat të jashtëzakonshëm”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.