Mbrojtësi i majtë rikthehet në kohë, 22-vjeçari nga minuta e parë kundër Skënderbeut, ndërsa Adorjan nuk preferohet si titullar
Trajneri Sulejman Starova provoi për herë të parë gjatë kësaj jave formacionin kundër Skënderbeut. Tekniku i “demave” në seancën e djeshme, të zhvilluar në “Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare”, në Kamzë, ka skicuar 11-shen e parë kundër korçarëve.
61-vjeçari nuk ka ndryshuar shumë nga formacioni i hedhur në Kukës. Ai i qëndron teorisë se formacioni fitues nuk preket, por skema e lojës do të ndryshojë. Diçka e tillë u pranua edhe nga vetë zëvendëstrajneri Dalipi në konferencën për shtyp. Megjithatë, formacioni kundër Skënderbeut vjen me disa ndryshime të vogla, pasi Adorjan lihet jashtë dhe preferohet Asani, ndërsa Kalari zë vendin e Kotobellit.
FORMACIONI – Trajneri Sulejman Starova ka ideuar formacionin që do të luajë kundër Skënderbeut. Ai, pas programit të zakonshëm, ka ideuar formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Në portë do të jetë Alban Hoxha. Mbrojtja është e stabilizuar me Ibrahimin në të djathtë, Malotën dhe Atandën në qendër, ndërsa Kalarin në të majtë. Asnjë risi, pasi tekniku i kuq këtë mbrojtje ka preferuar, por duket i çuditshëm rikthimi i Kalarit. 33-vjeçari vetëm ditën e djeshme është bashkuar me grupin dhe do të luajë nga minuta e parë. Starova ka besim te ai, pasi e ka preferuar sërish para Kotobellit. Kalari po kalon një formë të mirë.
Në mesfushë do të rikthehet kapiteni Batha me Vilën në qendër, ndërsa nga krahët preferohen Asani në të djathtë dhe Trashi në të majtë. 22-vjeçari ka ulur në stol Adorjanin. Shqiptari i Maqedonisë po kalon një formë të mirë dhe duket e ka bindur edhe teknikun Starova. Në sulm preferohen Progni edhe Bardhi. Të dy ishin titullarë edhe në Kukës.
Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha
Ibrahimi Malota Atanda Kalari
Asani Batha Vila Trashi
Progni Bardhi