Që Sulejman Starova është një trajner i mirë, me eksperiencë, njohës i shkëlqyer i futbollit shqiptar dhe jo vetëm atij, këtë nuk e vë në dyshim askush, të paktën jo ata që nuk kanë haber nga puna e trajnerit.
Megjithatë, dy llafe Starova i meriton, qoftë nga gazetarët, qoftë nga tifozi i thjeshtë. Partizani humbi sot, nuk është fundi i botës, fundja ekipet shqiptare e kanë zakon këtë punë prej dekadash, por sepse të djeg kjo humbje, sepse na dukej i kalueshëm ky Botevi.
Aq i kalueshëm, saqë dje në konferencën për shtyp Starova u mor më shumë me Milinkoviçin që nuk i pëlqen, me trajnerët e huaj që janë të mbivlerësuar dhe me De Biazin, që mori, më shumë sesa na dha.
Dakord, opinioni personal respektohet, por Starova mund të përqendrohej pak më shumë te Botevi. Ka trajner bullgar, ai foli vetëm për ndeshjen, për mungesat, për motin, për lëvizjet në formacion, për kundërshtarin dhe… kaq. Nuk foli për Levskin, Ludogorecin, kupën që fitoi, trajnerin e kombëtares bullgare, etj.
Pak modesti nuk i bën keq askujt, as Starovës, kjo duhet pranuar. Nëse kritikon De Biazin, duhet të bësh diçka që të mbahesh mend si ai dhe jo të flasësh para Botevit për titullin që do i japë Federata Partizanit se ia hoqi Skënderbeut.
Meqë ra fjala, vjet Partizani shkoi deri në play-off në Europa League, e mbani mend kush ishte në drejtim? Adolfo Sormani. Për dreq, ishte i huaj!