Stadiumi “Besa” i amortizuar, gati rikonstruksioni

Priten investime në ambientet e jashtme dhe të brendshme, për shkak të kushteve jo të mira dhe rrënimit ndër vite

Fatmir Efica

Në një takim të strukturave të sportit që ka pasur dje në Kavajë, është vënë theksi te ndihma, mbështetja e bashkëpunimi më efikas në trajtimin e zgjidhjeve të problemeve të futbollit. Ky sport ka tradita të mëdha, prandaj dhe Bashkia e qytetit të Kavajës, megjithëse është aksionare në minorancë e SH.A “Besa”, ka dhënë gjithçka në tre vitet e fundit për skuadrën që të mos degradonte edhe me keq situata. Paralelisht me këtë përgjegjësi, janë plotësuar edhe detyrime të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e mirëmbajtjen e terreneve sportive.

Konkretisht, në fushën e stadiumit “Besa” ditët e fundit për herë të parë është bërë karrotimi i të gjithë sipërfaqes duke nisur nga mbjellja me sasinë e duhur të farës që u sugjeruar edhe si më e mira. Në sipërfaqen prej 8600 m të fushës veçmas mbjelljes, u bë edhe shpërndarja e shtresës së rërës, spërkatja me pesticide ndaj insekteve të ndryshme të barit që shfaqen në këtë periudhë, etj. Falë ndihmës e mbështetjes nga FSHF-ja, sektori i infrastrukturës së terreneve dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e stadiumit “Elbasan Arena”, për herë të parë në Kavajë, falë mjeteve moderne që janë të specializuara për shërbimet ndaj fushës, përfunduan me sukses në fushën e stadiumit  “Besa” të gjitha procedurat. Ndërkohë, një shërbim kaq i plotë jep garanci edhe për 3-4 vite të ruhet e mirëmbahet në kushte optimale gjendja e tapetit aktual të barit që për herë të fundit është ndërruar në vitin 2009. Ky tapet në fakt e kaluar afatin e remontit të plotë dhe duhej të ishte zëvendësuar me një të ri.

RIKONSTRUKSIONI – Por, në mungesë të fondeve fusha falë hyzmetit që i është bërë radhitet te ndër më të mirat në Shqipëri. Priten sigurisht edhe investime të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me stadiumin “Besa”, pamja e të cilit nuk është ajo e duhura për shkak të amortizimit të madh. Nga viti 1974 kur është inauguruar e gjer më sot, me përjashtim të montimit të sistemit të ndriçimit, të përfunduara para 6 vitesh, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje tjetër. Madje, për këtë impiant janë dorëzuar edhe në FSHF edhe në Qeverinë Shqiptare dy projekte fantastike. Zbatimi i njërit prej tyre do të bënte të mundur që Kavaja të ketë një stadium të ri modern, ëndërr kjo e kahershme e shumë dashamirëvsve të futbollit në Kavajë dhe jo vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *