Speciale/ Kur i gjithë universi punon për Vllazninë kampione, tre ekipe hapin krahun për titullin në Superiore

Nga Klaudio Ndreca

Kur ti e dëshiron me gjithë zemër mbërritjen në një pikë të caktuar dhe duke i bashkangjitur punën e madhe me sakrificën për t’ia dalë, atëherë i gjithë universi punon për realizimin e ëndrrës. Ky është saktësisht ajo që po ndodh me Vllazninë.

Shkodranët që dalin në mënyrë të papritur për të fituar titullin kampion nuk do të kishin gjetur një sezon më të mirë sesa ky aktuali për të përmbushur dëshirën e tyre. Pas shumë vuajtjesh dhe lëngimesh, po vjen koha e festës së vërtetë.

Kur nisi kampionati ishin pesë ekipe që kishin objektiv titullin kampion: “Partizani, Tirana, Kukësi, Laçi, Teuta”. E të gjitha këto skuadra vijnë të rreshtuara njëra-pas tjetrës, në një rend të ndryshëm nga ai i yni i sipërpërmendur, por me rëndësi që të theksohet se vijnë pas Vllaznisë.

Për të ndërtuar një paralelizëm edhe me Serinë A, atje ku Milani që ka vuajtur aq shumë në sezonet e fundit pavarësisht historisë së madhe që ka, është duke kryesuar kampionatin. Pavarësisht se te Milani kishin po të njëjtën frikë që të shpallnin objektivin e tyre për të fituar titullin sa edhe në Shkodër, trajneri i njohur Zakeroni do të shprehej qartë: “Ky është shans që vjen njëherë në jetë”.

E njëjta gjë vlen për t’u theksuar edhe për Vllazninë, që ka këtë shans që vjen njëherë në jetë për t’u rikthyer atje ku i takon. Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, është i pari që ka hapur krahun zyrtarisht në luftën për titullin kampion duke u shprehur se Vllaznia nuk mund të arrihet dhe me 99% do ta mbylli në vendin e parë.

Te Tirana nuk mund të diskutohet më për këtë çështje “luksi”, ku pas humbjes së fundit ndaj Laçit dhe pas largimit të trajnerit Dede duhet që të zgjidhen shumë problematika të tjera. Nëse Laçi është tërhequr nga gara, atëherë mund të themi se bardheblutë janë të dalë prej kohësh.

Teuta është e vetmja skuadër që nuk ndryshon asgjë në objektivin e saj, megjithatë në këtë skuadër ka një dallim të madh mes mbrojtjes fantastike dhe sulmit që shpeshherë lë për të dëshiruar. Në fund ai që fiton është ekipi që shënon një gol më tepër, e për këtë arsye stofi i kampionit mungon ende te durrsakët, që vendin e dytë do ta kishin si arritje të madhe.

Për t’u ndalur edhe te Kukësi, teksa së fundmi është afruar trajneri Mirel Josa. Vetë ky teknik ishte intervistuar disa ditë më parë në “Report TV” duke u shprehur se janë qesharake pretendimet e ekipeve që kërkojnë të kapin Vllazninë, pasi harrojnë që të ndalen edhe vetë në momentet kur shkodranëve do t’u rrëshkas këmba.

Kështu edhe ndodhi teksa pas barazimit të Vllaznisë ndaj Kastriotit do të hapej shampanja para kohe në shumë qytete, por ishte vetëm Kukësi që shkurtoi disi diferencën nga vendi i parë. Sipas Josës nuk ekzistonte asnjë skuadër tjetër që ishte e aftë për të rrëmbyer shumë fitore radhazi dhe që të parakalonte Vllazninë.

Me Josën që bëhet gati për të marrë stolin ku nuk duan të dorëzohen përpara kohe, por me fjalët që mund të zbukurohen disi më tepër pas marrjes së kësaj detyre të re si trajner, duhet të theksohet se vetë drejtuesi i ri i anijes nuk ka shumë shpresa për misionin e madh.

I vetmi ekip i mbetur në listë është Partizani i Ilir Dajës që po përforcohet në këtë merkato së tepërmi. Ardhja e Ferhan Hasanit do t’ia shtojë edhe më shumë kualitetet të kuqëve, por mbetet të shihet se sa efektive do të rezultojë në fushën e lojës. Deri tani Partizani ka treguar se reagon shumë më vonë se Vllaznia pas një momenti të vështirë, me diferencat që tregojnë ekipin kampion. Ky është shansi më i mirë për Vllazninë që të vazhdojë marshimin drejt titullit, në një sezon që duket se i ka shtruar tapetin e kuq shkodranëve. Ky duket të jetë viti i tyre ose më saktë viti i historisë! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online