Speciale | Formacioni i karrierës, Magani me “artileri” të rëndë

Për një ish-futbollist luftarak dhe me sedër në fushë si Gugash Magani, karakteri është i rëndësishëm dhe këtë element është munduar ta fusë edhe në skuadrat që ka drejtuar me sukses. Në karrierën e tij 11 vjeçare si trajner, peqinasi ka drejtuar disa skuadra të elitës në futbollin shqiptar dhe ka marrë pjesë në kupat e Europës me katër ekipe. Ftesës së SportEkspres.com për të ndarë me sportdashësit shqiptarë dhe lexuesit tanë formacionin me lojtarët më të mirë që ka drejtuar, ai ju përgjigj me korrektesë.

Dhe moduli i përzgjedhur prej tij duket interesant: 4-2-3-1. Si portierin më të mirë që ka pasur nën urdhra Magani veçon Ilion Likën, i cili edhe sot është pjesë e Kategorisë Superiore me Tiranën. “Ilion Lika ka qenë një personalitet në katërkëndor, si dhe në gjithë fushën e lojës. Një kapiten që skuadrën e ndihmonte që nga minuta e parë e deri në fundin e çdo ndeshjeje”.

Mbrojtja me katër futbollistë është më e mira për “Gashin”, sikurse edhe thërritet në ambientet sportive tekniku peqinas. Katër “moskëtierë” janë lojtarët e zgjedhur, teksa Magani ka edhe një koment për ta: “Artan Sakaj ka qenë mbrojtës energjik dhe dinamik në lojë, Gentian Muça me cilësi të mira si qendërmbrojtës, i saktë në ndërhyrje sidomos në luftën në ajër. Franc Veliu dhe Julian Ahmataj kanë qenë pozicionalë në fushë, të fortë në luftën me çdo kundërshtar dhe të aftë në goditjet standarde”. Shkurt dhe shumë i qartë.

Por edhe në mesfushë, edhe pse duket i “kursyer” me dy të tillë, peqinasi ka një përzgjedhje të veçantë me Hair Zeqirin dhe Erando Karabecin. “Të dy kanë qenë lojtarë krijues, organizatorë me vizion dhe të fortë fizikisht”.

Treshja e sulmit që Magani e rendit para dy mesfushorëve të mirëfilltë dhe pas sulmuesit të vetëm, përbëhet nga Odise Roshi në të djathtë, Bledar Mancaku në qendër dhe Selemani Ndikumana në të majtë. Me karakteristikat e tyre kanë qenë protagonistë. “Odise Roshi është evidentuar tashmë si një mesfushor krahu me tipare sulmuese, i fortë dhe kërcënues në goditjet në portë. Me Bledar Mancakun lojën e nisje në avantazh 1-0, një lojtar me bagazh dhe një lider i vërtetë në fushë. Ndërsa Ndikumana ishte i jashtëzakonshëm për cilësitë e tij. Vetëm karakteri i brishtë ja humbiste pak vlerat”.

Në majën e sulmit të formacionit të karrierës së Gugash Maganit përfshihet Daniel Xhafaj. Vlonjati ka qenë protagonist në disa skuadra të Kategorisë Superiore, ka qenë edhe kryegolashënues, ndërsa Magani i shton në këtë përcaktim edhe një tjetër detaj. “Danieli kishte shumë personalitet në fushë, ai ishte një trajner në fushën e lojës. E duke shtuar cilësitë e mira në përdorimin e topit e goditjet në portë, veçohej si një sulmues race”.

KARRIERA – Në karrierën e tij si futbollist dhe më pas si trajner, Gugash Magani ka të veçantën se i ka nisur dhe i ka përfunduar te skuadra e vendlindjes, Shkumbini i Peqinit. I lindur më 14 mars 1965, Gashi ka 11 sezone karrierë në pankinat e Superiores shqiptare, por edhe në Kosovë. Në vitin 2007 e nisi me Shkumbinin, më pas kaloi te Flamurtari. Me vlonjatët u rendit në vendin e dytë në një kampionat plot polemika. Skënderbeu u mori titullin. Besa, Teuta, Tirana dhe Trepça’89 ishin stacione e radhës në karrierën e Maganit, që pak ditë më parë ka pranuar ofertën për të drejtuar sërish kavajasit, që synojnë rikthimin në Superiore.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *