Speciale | Formacioni i karrierës, Josa zgjedh ekspertë për çdo rol

Mirel Josa ka qenë i suksesshëm gjatë drejtimit në vendin tonë, duke fituar trofe të shumtë. Ftesës së SportEkspres.com për t’u sjellë lexuesve tanë formacionin me lojtarët më të mirë që ai ka drejtuar në karrierën e tij si trajner, iu përgjigj me gatishmëri dhe interes.

Për Josën, moduli është ai 4-4-2, duke e nisur me portierin më të mirë. Orges Shehi është i përzgjedhuri, një legjendë në katërkëndorin e Skënderbeut të suksesshëm në dekadën e fundit. “Orges Shehin unë e quaj portierin më të suksesshëm në futbollin tonë. Në periudhën që e drejtova Skënderbeun, ai ka qenë një lider i padiskutueshëm në skuadër”,  thotë Josa për durrsakun, që tanimë i drejton korçarët si trajner. Edhe për repartin e mbrojtjes veçon më shumë futbollistë nga bardhekuqtë.

Kristi Vangjeli në krahun e djathtë mbetet më i mirë në karrierën e Josës trajner. Në qendër të mbrojtjes ai veçon Nevil Deden dhe kroatin Marko Radas, ndërsa në krahun e majtë Renato Arapin. “Të katër këta mbrojtës unë i veçoj si më të mirët e këtij reparti që kanë luajtur në futbollin shqiptar në këtë periudhë. Edhe pse janë me karakteristika të ndryshme mes tyre, të gjithë janë lider”.

Mesfusha e Mirel Josës përbëhet nga lojtarë virtuozë dhe elegantë, duke nisur me Devi Mukën në krahun e majtë dhe Bernard Berishën në krahun e djathtë. Për qendrën e mesfushës, Josa mendon se Blendi Shkëmbi e Sabien Lilaj janë dueti më i bukur që futbolli shqiptar ka pasur në dhjetë vitet e fundit. “Këta mesfushorë kishin shumë personalitet në fushë, kishin karakteristika të ndryshme. Por mbi të gjitha ishin lider në fushë dhe pika referimi për rezultatet në skuadër”.

Te sulmuesit më të mirë, Mirel Josa nuk shkon më shumë se te dy shkodranët: Hamdi Salihi e Vioresin Sinani. “Të dy këta janë sulmuesit që kanë dominuar në kohën kur ata kanë luajtur, kanë qenë golashënues që kanë bërë diferencën. Unë i quaja lider të gjithëpushtetshëm në skuadër”.

KARRIERA – Mirel Josa është pjesë e futbollit bardheblu, ku në 11 sezone ai ka qenë pjesë e 17 Nëntorit, sot Tirana. I lindur më 1 korrik 1963, Josa shkëlqeu te Tirana dhe në Kombëtaren, Aty  luajti rreth 30 ndeshje. Pas ndryshimeve të sistemit politik në Shqipëri, Mirel Josa e vazhdoi karrierën për katër sezone në futbollin helen, më parë me Aris Selanik, për ta mbyllur në tre sezone resht (1992-1995) me Kavallën.

Edhe karrierën si trajner Josa e ka nisur pikërisht me Tiranën në vitin 2003, në drejtimin e së cilës ka fituar edhe trofe. Në 15 vite trajner i elitës në futbollin tonë dhe në Kosovë, Josa ka drejtuar Tiranën, Lushnjen, Vllazninë, Elbasanin, Teutën, Shkumbinin, Skënderbeun, e së fundmi Prishtinën. Janë 5 Kampionate, 2 Kupa dhe 3 Superkupa të Shqipërisë që Josa ka fituar si trajner, ndërkohë që aktualisht  kërkon të fitojë titullin kampion në Kosovë. Vjet ai triumfoi në Digitalb Kupa e Kosovës.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *