Speciale | Formacioni i karrierës, Duro me sulm “bombë” dhe shumë fantazi

Duke e veçuar si një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin shqiptar në dy dekadat e fundit, natyrisht që për Shpëtim Duron ky anketim i SportEkspres.com nuk ishte i lehtë për të përcaktuar formacionin më të mirë që ai ka drejtuar në karrierën e tij si trajner.

Duro ka zgjedhur modulin 4-3-3, por më e veçantë është se në repartin e sulmit ka vendosur si më të mirët që ka trajnuar dy sulmues shqiptarë nga Maqedonia: Besart Ibrahimin dhe Ferhat Hasanin. Ky i fundit është pjesë e Al Raed në Arabinë Saudite, ku ka nënshkruar për rreth 2 milionë euro. Ibrahimi ndërkohë vjet u shpall më i miri në Maqedoni. Paga? 30 mijë euro në muaj.

Të dy janë afruar te Shkëndija nga Duro në vitin 2015 dhe konsiderata e tij është e lartë për dyshen e sulmit. “Janë dy sulmues race që mund t’i shohim në skuadra më të mëdha se Shkëndija e Tetovës”. Ndërkohë që në këtë repart, Duro gjen vend edhe për Sokol Cikalleshin, të cilin e vlerëson për cilësitë e veçanta në shënim e golit nga çdo pozicion.

Portierin më të mirë në formacionin e karrierës së tij si trajner Duro e zgjodhi pas asnjë hezitim dhe ai është Orges Shehi, të cilin e vlerëson edhe si një lider në fushë. “Shehi ishte një portier lider për skuadrën. Në portë ai kishte siguri dhe jepte gjithmonë garanci në synimet e Skënderbeut”.

Mbrojtja më e mirë për Duron është e gjitha e “kuqe”, me Arbnor Fejzullahin, Ilir Shulkun, Adrian Cuculin dhe Lorenc Trashin. Ata veçohen prej tij si energjikë, luftarakë dhe lider në skuadrat ku kanë luajtur. Mesfusha e përcaktuar nga Shpëtim Duro është një treshe interesante, ku veçon së pari Bledi Shkëmbin te Skënderbeu, Mentor Marekajz dhe Nderim Nexhipi te Partizani. Të tre lojtarë tipikë për një mesfushë të organizuar që e orientonin saktë skuadrën në lojë, por edhe golashënues të aftë.

KARRIERA – Si futbollist, Shpëtim Duro ka luajtur 10 sezone në futbollin elitar shqiptar, ku vetëm 17 vjeç ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tiranës, pikërisht në vitin 1982. Por karriera e tij si futbollist vazhdoi edhe në pesë sezone të tjera, këtë herë te Partizani, me të cilin fitoi titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.  Duro ka lindur në Tiranë më 24 dhjetor 1959 dhe në karrierën e tij si trajner ka shëtitur në disa skuadra me të cilat ka fituar 1 titull kampion, 1 Kupë të Shqipërisë dhe 2 Superkupa, pa harruar edhe ndeshjet që skuadrat e drejtuara prej tij kanë zhvilluar në Europë.

Në karrierën e tij si trajner Duro numëron 11 skuadra, të gjitha në Superioren shqiptare, por edhe në Kosovë e Maqedoni, ndërsa për dy vite ka qenë edhe zëvendëstrajner i Kombëtares së bashku me Oto Bariç. Trajningun në Shqipëri, Shpëtim Duro e ka filluar me Bylisin e Ballshit në sezonin 1999-2000, duke e patur këtë skuadër si trampolinën e parë si trajner i parë në skuadër elite.

Një vazhdimësi e suksesshme mund të quhet për Shpëtim Duron trajner, pasi ai ka drejtuar skuadra si Dinamo, Partizani, Skënderbeu, Apolonia, Besa, Vllaznia e Flamurtari, të gjitha protagoniste në Kategorinë Superiore. Shkëndija e Tetovës ka qenë eksperienca e parë e Duros jashtë vendit, kurse aktualisht është në krye të Dritës së Gjilanit, kampionë në fuqi e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online