Speciale | Formacioni i karrierës, Canaj “flet kroacisht” dhe me… golashënues

Pasi është nderuar nga FSHF-ja me titullin “Legjendë e futbollit shqiptar”, Agim Canaj nuk i tha “jo” ftesës së SportEkspres.com për t’u thënë sportdashësve shqiptarë dhe lexuesve tanë, se në formacionin e tij më të mirë në karrierën si trajner ka vend për shumë kroatë.

Duke preferuar modulin klasik 4-4-2, Canaj veçon si portierin më të mirë shkodranin Armir Grima. “Unë e veçoj Grimën për karakterin e tij në fushë, jetonte në çdo situatë me skuadrën dhe i jepte kurajo e shpresë në çdo sfidë”.

Ndërkohë që për Canajn mbrojtja nga e djathta nisme një futbollist kroat, Dario Bodrusiç, me të cilin ai ka punuar te Dinamo. Ndërkohë në qendër ai vendos Goran Graniç dhe Arian Pishën.  Në të majtë Suad Licin kompleton prapavijën. Një mengjërash tipik, i cili si te Vllaznia, ashtu edhe te Tirana, tregoi nivel në lojën e tij. Për këtë katërshe, Agim Canaj shprehet: “Në këndvështrimin tim teknik, unë të katër këta futbollistë i veçoj si mbrojtësit më të mirë që kanë luajtur në futbollin shqiptar, në skuadrat ku unë kam drejtuar”.

Qendrën e mesfushës dhe krahët e këtij formacioni, Canaj ua beson lojtarëve që kanë lënë gjurmë në futbollin dinamovit në periudhën 2000-2010. Redi Jupi dhe Paulin Dhëmbi janë dy mesfushorët e qendrës, ndërsa në të djathtë serbi Goran Vinçetiç dhe në të majtë të mesfushës vendos Ilir Qorrin, një nga protagonistët e Dinamos në atë periudhë. “Të gjithë këta mesfushorë kanë qenë elegantë, me vizion dhe organizatorë të mirëfilltë në shërbim të skuadrës”.

Në repartin e sulmit nuk mungon kroati Pero Pejiç, i cili ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar duke qenë protagonist në çdo ndeshje. Në krah të tij Cana vendos shkodranin Vioresin Sinani, i cili është edhe shënuesi me më shumë gola të shënuar në elitën e futbollit shqiptar. “Të dy këta sulmues janë të njohur për kualitetin në repartin e avancuar. Në periudha të veçanta janë bërë protagonistë në futbollin shqiptar. Të dy sulmues race”.

KARRIERA – Agim Canaj e ka zhvilluar karrierën e tij si futbollist në trekëndëshin Vlorë-Tiranë-Rumani, por hapat e parë në futboll i ka hedhur te Shkëndija e Tiranës në sezonin 1980-1982. I lindur në Vlorë, më 14 korrik 1962, Canaj është një nga trajnerët më shëtitës në Superiore, ndërsa mbetet në histori edhe si tekniku i Gramozit të Ersekës që luajti miqësoren me Realin e Madridit më 20 janar 2010 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

“Kjo ndeshje mbetet një nga kulmet e mia si trajner, madje kujtoj se nuk u luajt deri në fund, pasi  u ndërpre energjia elektrike në stadium për gati 50 minuta”, kështu e kujton Canaj këtë përballje. Si trajner Agim Canaj nuk ka shumë trofe të fituara, përveçse 1 Kupë të Shqipërisë, pa harruar edhe tre sezone si nënkampion me skuadrat që ka drejtuar.

Eksperienca e Canaj në pankinë ka nisur te Dinamo në sezonin 2002-2003 dhe fundit ishte ajo me Bylisin e Ballshit në Kategorinë Superiore. Në futbollin shqiptar ai ka drejtuar ekipe si Shkumbini, Besa, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia, Gramozi e Bylis. Aktualisht mbetet në prijte të një oferte, ndërkohë që Canaj kontribuon me komentet dhe analizat e tij në median sportive shqiptare, së fundmi në rubrikën “Sport News Plus” në televizionin News24.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *