Në dhjetor 1983 “La Furia Roja” fitoi 12-1 ndaj Maltës, duke siguruar golat që i duheshin për të fituar grupin kualifikues dhe për të shkuar në Euro 1984. Tani, 35 vite më vonë, dëshmi të rëndësishme nga të humburit dalin në dritë: “Lojtarët spanjollë ishin të dopuar. Në pushim na dhanë një pjatë me limonë dhe të gjithë patëm probleme shëndetësore”. Historia e pabesueshme publikuar nga Sky Sport…
Sevilje, 21 dhjetor 1983. Në Sanchez Pizjuan luhej Spanjë-Maltë, ndeshja e fundit kualifikuese për Euro 1984 në Francë. Spanja kishte përpara në renditje Holandën, që kishte një golaverazh +16 dhe 2 pikë më shumë në renditje, por i kishte mbaruar ndeshjet e saj. Pas Holandës, Spanja kishte golaverazh +5 dhe për të kaluar Holandën, i duhej fitore e thellë, tepër e thellë, me të paktën 11 gola diferencë, ndaj Maltës. Rezultati final? 12-1 për Spanjën, që fluturoi për në Europian, ndërsa Holanda mbeti në shtëpi. Të shumtë ishin ata që folën për manipulo, kishte zëra se portieri i Maltës kishte marrë si dhuratë një Mercedes për të hapur portën, kishte zëra se Spanja kishte paguar për hapjen e një qendre sportive në Maltë. Megjithatë, vetëm tani, 35 vite më vonë, flasin personazhe të përfshira direkt në atë ndeshje.
“Si, si, si, España va a París”
Spanja e asaj kohe nuk kishte lidhje me atë të shekullit të ri, që me tiki-taka dhe lojtarë gjenialë ka dominuar botën për disa vite. Në 7 ndeshjet e para Spanja e asaj kohe kishte shënuar 12 gola në total dhe në Maltë kishte fituar 3-2, me vuajtje. Që në pragndeshje plasën polemikat, sepse portieri i Maltës, Xhon Boneli, një punëtor në industrinë e tekstileve, deklaroi: “Vetëm fëmijët do pësonin 12 gola. Nëse m’i shëojnë mua, si do kthehem në atdhe?”. Pjesa e parë ishte një makth për spanjollët, që fituan një penallti që në minutën e tretë, por goditën shtyllën. Sërish shtyllë pa kaluar çerek ore lojë, derisa Santijana shënoi golin e parë, nga 4 që shënoi në ndeshje, ashtu si Rinkon. Malta barazoi dhe bëri me makthe spanjollët, që gjithsesi pjesën e parë e fituan 3-1. Duheshin 9 gola në pjesën e dytë, askush nuk besonte më te mrekullia, por në 45 minutat e dyta gjithçka ndryshoi si me magji, sepse Malta mediokre u bë edhe më e brishtë dhe u dorëzua totalisht, me Spanjën që shënoi 9 gola deri në minutën e 84-t, kur Huan Antonio Senjor Gomez shënoi golin e 12-të, atë të kualifikimit.
Dëshmitë e reja: arbitra të këqij, spanjollë të dopuar dhe limonë të helmuar
Ndeshja kundër Maltës përfaqëson gjithçka për spanjollët, edhe sot, sepse aty lojtarë e tifozë u bënë një, aty nisi ngjitja e Spanjës drejt majës së botës. Megjithatë, mbi atë sukses hedhin dyshime dhe hije 4 personazhe të asaj sfide në “Benito Villamarin”: futbollistët maltezë Silvio Demanuele, Leli Fabri e Karmel Busutil dhe trajneri i Maltës në atë kohë, Viktor Sherri. Gjatë një interviste për një reportazh “”Fievre Maldini”, në kanalin Movistar+, janë hedhur akuza të forta ndaj spanjollëve, për doping dhe për helmim. “Kam një vëlla që ishte ‘bodybuilder’ dhe e di çfarë ndodh kur merren asteroide – shpjegon Demanuele – Energjia e spanjollëve ishte anormale, disa prej tyre kishin shkumë që u dilte nga goja, ndërkohë që pinin ujë në mënyrë konstante”.
Edhe Busutil tregon atë situatë të pazakontë: “Kishim mbërritur një ditë me vonesë, duke udhëtuar me trenin e mbrëmjes, dhe fusha nuk kishte drita. Na vendosën në një hotel shumë të keq, të tmerrshëm, që nuk kishte as restorant, ndaj për të ngrënë mëngjes duhej të dilnim e të gjenim vend ku të hanim, të veshur si njerëz civilë, që të mos binim në sy. Natën para ndeshjes nuk flinim dot, nga zhurma jashtë hotelit”.
Trajneri përmend helmimin nga ushqimi: “Një zotëri i veshur me të bardha na solli në pjatë me limonë të prerë në mes. Lojtarët shtrydhën lëngun për ta pirë dhe më pas u ndjenë keq, kishin marrje mendsh dhe humbje fuqie. Pyeta mjekun mos i kishin droguar, por nuk kishim prova, çështja u mbyll aty”.
Edhe Demanuele konfirmon: “Ndihesha si i pirë, sikur kisha bërë festë tërë natën”. Ndërkaq, Fabri e ka me arbitrin turk Gëksel: “Më i keqi që kam parë. Ishte gjithmonë kundër nesh, Spanja donte ndihmë dhe ai lejonte gjithçka në fushë. Kishte momente kur na thoshte ‘jepini, jepini, luani futboll’, sikur ta kishte me nxitim”.