Spanja, Italia dhe Kroacia në grup! Jasir Asani: Nuk ia kam frikën askujt tjetër përveç Zotit, në fushë do të luajmë 11 kundër 11 lojtarëve

Teksa qershori po afron gjithmonë e më shumë, tema kryesore e shqiptarëve është padyshim Kombëtarja. Kjo u diskutua edhe në emisionin “Sport Elite” që transmetohet në “RTK” me Qeqa Krelanin, teksa në një lidhje live foli kreu i FSHF, Armand Duka dhe disa prej lojtarëve të Kombëtares.

Një shpjegim vërtet shumë interesant erdhi nga Armand Duka sa i përket arsyes se përse Silvinjo mbështet skemën me 23 lojtarë për t’i grumbulluar në Gjermani dhe jo atë me 26 futbollistë, që përkrahin shumë prej trajnerëve të tjerë.

“Është e vërtetë që është bërë një mbledhje mes trajnerëve që do të jenë pjesë e Europianit dhe ka pasur propozime për ta rritur numrin e lojtarëve të thirrur në 26 lojtarë. Është diskutuar teknikisht, Silvinjo nuk ka qenë në këtë takim, por ai dëshiron që të mbetet me 23 lojtarë kjo skemë. Nuk është i vetmi që e mendon këtë, janë të ndarë mes atyre që duan skemën me 23 dhe atyre që e duan me 26. Janë të ndarë dhe kanë argumentat e tyre pro dhe kundër.

Të gjitha këto mendime do të vijnë për diskutim në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në 22 maj në Dublin. Nëse do të më lejohet të jap mendimin tim, unë sigurisht që në atë mbledhje do të mbështes mendimin e trajnerit të Shqipërisë. Argumentat e Silvinjos janë që grupi mund të menaxhohet më mirë, të ketë më shumë rezultat me 23 lojtarë. Pra nuk do të heqësh lojtarë që t’i lësh në tribunë dhe ata mund të prishnin atmosferën e skuadrës, por do të jenë të gjithë aktiv në stol dhe në fushë. Por edhe sa i përket menaxhimit, pasi të gjitha programet e stërvitjes bëhen me 22 futbollistë dhe 1 portier që mund të ngelet jashtë fushe”, tha Duka.

Ndërkohë nga ana tjetër Myrto Uzuni ka treguar peripecitë e së kaluarës dhe dashurinë e madhe për stemën e Shqipërisë. “Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaj për Kombëtaren pasi e kam jetuar racizmin dhe bullizmin në Greqi. Ka qenë ajo koha kur marrëdheniet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk ishin shumë të mirë. Atëherë unë punoja atje dhe gjithmonë thoja: Jam krenar që jam shqiptar”. Mezi kam pritur që të vesh fanellën e Kombëtares dhe të nderoj të gjithë familjarët e mi. Ëndrra ime ka qenë pjesëmarrja në Europian dhe tani është e arritur”, tha Uzuni.

Gjithashtu i ftuar ishte Jasir Asani, i cili u shpreh se nuk kishte frikë askënd nga kundërshtarët e Europianit. “Unë kam dhënë maksimumin kudo kam qenë. Fanella e Shqipërisë rëndon shumë dhe tani duhet të japim më të mirën me ekipet ku jemi, që të jemi gati për Shqipërinë. Sakrificat e shqiptarëve që vijnë kudo ku ne luajmë, duhet t’i shpërblejmë me fitore në fushë. Ne lojtarët kur futemi në fushë, mendojmë më të mirën për Kombëtaren. Duhet ta tregojmë në çdo ndeshje, jo të shënojmë një gol dhe më pas të vijnë disfatat. Kë kam frikë nga rivalët në grupet e Europianit? Duhet t’i marrim qetë pasi kemi edhe pak kohë për t’u përgatitur. Frikën nuk ia kam askujt përvec Zotit, jemi 11 kundër 11 dhe nuk duhet të kemi frikë nga askush”, tha Asani. /Sport Ekspres/