U deshën vetëm 7 minuta për të ngritur në këmbë një “San Siro” të tejmbushur. Inter arriti të dilte nga kriza dhe të fitonte ndaj Totenhem 2-1, me një përmbysje të çmendur. Tani e pret transferta e Sampdorias, ditën e nesërme në “Marassi” të besuarit e Spaletit do të kenë një provë force, ku dhe do i duhet të konfirmojnë se përmbysja ndaj Totenhem nuk ishte një rastësi.
Pikërisht ditën e sotme, trajneri i Inter, Luçiano Spaleti ka dalë përpara mediave. Tekniku italian ka folur në lidhje më sfidën e nesërme si dhe për çështje të tjera në ambientin zikaltër.
IKARDI – “Në nivelin që ne luajmë, Mauro sa vjen dhe përmirësohet. Është shumë e qartë që ai duhet të lëvizë shumë për të marrë topin, por gjithashtu skuadra duhet të ketë parasysh cilësitë e tij dhe Ikardi të shprehet sa më mire. Një lojtar i madh për të bërë një ndeshje të madhe duhet që për 95 minuta të shfaqë personalitet të madh brenda ekipit”.
PERISHIÇ – “Nuk ka asgjë për zëvendësimin e Perishiç. Ai nuk bëri një ndeshje të keqe. Edhe në aspektin e lojës së krijuar dhe energjisë së shpenzuar, Ivan bëri shumë. Nuk ka asnjë çështje”.
LAUTARO DHE ZHOAO MARIO – “Lautaro akoma nuk është rikuperuar. Ai ka nevojë ende për kohë, ndërsa Zhoao Mario mund të jetë i dobishëm në rast së arrin të gjejë ekuilibrin”.
SAMPDORIA – “Më pëlqen Xhampaolo. Është nje trajner që ka bërë shumë përpara. Ka një vizion të madh dhe gjithmonë e ndërton lojën poshtë duke pritur për reagimet që do të japë kundërshtari. Padyshim, Sampdoria do të jetë një kundërshtar i vështirë, por ne duhet të tregojmë me patjetër vazhdimësi, gjë që javët e para na ka munguar”, përfundoi tekniku Spaleti.