Interi pret PSV nesër në mbrëmje dhe alternativa e vetme për djemtë e Spaletit është fitorja. Por, një gjë e tillë nuk do të mjaftonte për t’u kualifikuar, nëse Totenhemi ia del në Spanjë përballë Barcelonës së kualifikuar.
Luçiano Spaleti ka folur në konferencën për shtyp përpara sfidës me ekipin holandez, duke theksuar se kjo është ndeshja më e rëndësishme që kur ai është në stolin e Interit. Trajneri i zikaltërve sqaron gjendjen e të dëmtuarve, si dhe komenton me qetësi faktin e Ikardit, i cili ishte i pranishëm në “Santiago Bernabeu” për të ndjekur duelin e “përgjakshëm”, River Plejt-Boka Zhuniors.
PËRBALLJA – “Ne duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjen tonë. Nuk na lejohen gabimet, duhet të fitojmë përballë një skuadre, që ndodhet në vazon e tretë, ndërsa ne jemi në të katërtën. Kjo është ndeshja më e rëndësishme që kur jam pjesë e Interit, më shumë se ajo kundër Lacios në sezonin e kaluar.”
TË DËMTUARIT – “Vesino ka bërë një kontroll dhe me shumë mundësi nuk do të jetë kundër PSV. Naingolan ka nevojë për disa ditë pushim, përndryshe rrezikon një përkeqësim. Duhet të bëjmë një kontroll më të thellë për problemin e Naingolanit, ndërsa ai i Vesinos më duket më i vështirë për t’u zgjidhur.”
IKARDI – “Nuk e kuptoj ku është problemi që Ikardi ishte në Spanjë për të ndjekur River-Boka. Aty ishte dhe delegacioni i Juventusit, drejtues dhe lojtarë të Interit: nuk e kuptoj se kush është problemi. Nuk ka asgjë të veçantë, iku me gruan e tij për të shijuar spektaklin dhe u soll në mënyrë korrekte.”