Skënderbeu ka zyrtarizuar blerjen më të re. Ishte lajmëruar prej ditë, por sot ka ardhur prezantimi nga ana e klubit korçar. Në ambientet e stadiumit “Skënderbeu”, menaxheri i skuadrës, Gerhard Takaj ka prezantuar sulmuesin Ali Soue.
I huazuar nga skuadra e Kievos, 23-vjeçari pritet që të jetë lideri i sulmit korçar. Soue bëhet i dyti sulmues që “zbarkon’ në Korçë, duke e rritur ndjeshëm konkurrencën për një vend titullari. Skënderbeu ndjek kështu gjurmët e Partizanit, duke shpresuar se lojtari nga Gambia do të rezultojë një lojtarë që të bëjë diferencën.
Lojtari nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit me çekët e Mllada Boleslav, por nëse “ujqërit” avancojnë më tej atëherë do të ketë mundësinë që të kontribojë me synimin për ta ndihmuar skuadrën të prekë përsëri grupet e Europa League-s.
Për faqen zyrtare të klubit korçar, Soue deklaroi: “Erdha në Korçë për të fituar gjithçka. Nuk e njoh mjaft mirë kampionatin shqiptar, por jam i lumtur që ndodhem këtu dhe do të vesh fanellën e Skënderbeut. Objektivat personalë? Si fillim dua të hyj sa më shpejt me grupin, të jap më të mirën time për të fituar gjithçka. Shpresoj të fitoj simpatinë e tifozëve dhe premtoj se do të jap maksimumin tim. Ata janë mjaft të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Shpresoj të jenë sa më të shumtë në numër dhe të japin një ‘dorë’ në arritjen e objektivave.”