Sot vendos Etika, mjaft me shtyrje!

E treta e vërteta. Nëse komisioni sot s’merr një vendim për çështjen “Skënderbeu”, pak rëndësi ka vendimi, atëherë do të thotë se është tallur me të gjithë

Pa dy shtyrjesh, sot duhet të jetë e treta e vërteta që Komisioni i Etikës të mos kthehet në një tallje për të gjithë dhe në një institucion i cili shërben po aq sa edhe ato selitë militante partiake përgjatë fushatës elektorale, sigurisht me poltrona më të mira se sa një vend i marrë me qira (kudo qoftë!). Dhe, ç’është më e shëmtuara, vendimi ose jovendimi (sepse mund të mbyllet sërish me një “vrimë në ujë”) do të merret vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Prova, prova dhe vetëm prova.

Prej disa muajsh kjo çështje po diskutohet, por sa herë vjen momenti i vërshëllimës finale, arbitri mendon të shtyjë sërish lojën dhe të japë minuta shtesë, në kërkim të një goli që nuk dihet se nga duhet të vijë. Kërkohet transparencë në medie, por problemi është një dhe vetëm një: duhet që institucionet të jenë transparente dhe të mos tallen. Një shtyrje e radhës do të ishte padiskutim një mungesë totale mosbesimi në organet kompetente. Dhe, këtë herë, s’do të tolerohet as edhe përfshirja e ndonjë ndeshje tjetër si provë që pasuron dosjen, pasi do të ishte një “dokërr” e madhe.

Kronologjia – Katër muaj më parë, Federata Shqiptare e Futbollit do të lajmëronte zyrtarisht kalimin e çështjes në duart e Komisionit të Etikës, pasi kishte ardhur edhe argumentimi i CAS-it të Lozanës, që mori vendim duke lënë në fuqi pezullimin që UEFA i bëri korçarëve me 1 vit mospjesëmarrje në kupat e Europës. Më 30 maj, pritej që të merrej vendimi, pas tre muajsh, por kjo nuk ndodhi dhe gjithçka u shty më datën 8 qershor… Sërish pritje e madhe, por në fund një tjetër… shtyrje. Këtë herë, duke shtuar edhe ndeshjen Elbasani-Turbina, për të plotësuar dokumentacionin përkatës që po ndiqnin (nuk dihet pse duhet të përfshihej edhe një ndeshje që s’ka lidhje me Skënderbeun!). Kështu,u caktua data finale, ajo e 23 qershorit, dy ditë përpara zgjedhjeve në Shqipëri.

Duka – Në mbledhjen e zhvilluar me përfaqësuesit e medieve, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, do të shprehej kështu për çështjen e Skënderbeut: “Skënderbeu është analizuar dhe pezulluar nga UEFA për pjesëmarrje në kupat e Europës. Qëndrimi i KAS-it ishte i njëjtë me UEFA-n dhe për një çështje të mbyllur në KAS nuk ka të drejtë njeri ta diskutojë. Dënimi i parë nuk është disiplinor. Ka diçka të rëndësishme në këtë çështje sepse ndodh për herë të parë në Europë dhe në botë. Gjithë bota merr raportet që vijnë nga monitorimi i tregut te basteve, kur përqindja më e madhe e tyre është e suksesshme, atëherë kjo ndeshje konsiderohet e dyshuar, ose shumë e dyshuar apo manipuluar. Sipas Komisioneve të Disiplinës, nga sot e tutje, përderisa KAS-i pranoi i pranoi këto raporte, atëherë ato do të konsiderohen prova edhe në të ardhmen, por kjo është çështje juridike. Përderisa ka ndeshje të kampionatit shqiptar në raport, po heton Etika për ta zbardhur. Se cili do të jetë vendimi nuk e di. Bëhet fjalë për kampionate të shkuara. Nuk është vetëm Skënderbeu, janë të gjitha skuadrat me të njëjtat raporte. Komisioni i Etikës mblidhet sot, ndoshta del me vendim ose jo. Në UEFA deri më sot nuk ka filluar një çështje disiplinore, por kanë të drejtë ta fillojnë në çdo kohë”.

One thought on “Sot vendos Etika, mjaft me shtyrje!

  1. skenderbeu duhet denuar me ulje nga kategoria. Ky duhet te jete vendimi i vetem qe duhet te marre komisioni i etikes perndryshe edhe ky komision do njolloset ashtu sic eshte i njollosur skenderbeu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *