Kampionët do të sfidojnë sot Botoshanin dhe do të kërkojnë që të bëjnë autokritikë për humbjen e para tre ditëve. Një mbrojtës nga Liberia në provë me… shpenzimet e tij
Jurgen Zela
Kukësi vijon me ritme të larta fazën përgatitore në Austri. Verilindorët po përgatisin debutimin në Champions, ku do të sfidojnë kampionët e Moldavisë Sherifin e Tiraspolit. Në kushte shumë të përshtatshme atmosferike dhe në terrene mjaft komode kuksianët kanë planifikuar përveç seancave stërvitore dhe katër miqësore të tjera veç asaj me Volfsberger, ku pësuan një humbje të turpshme 0-7.
MIQËSORJA
Sot, në orën 18:00 kampionët tanë do të sfidojnë rumunët e Botosanit, një kundërshtar me emër, por që ndryshe nga Kukësi këtë edicion nuk do të jetë pjesëmarrës në kupat e Europës. Prioritet mbetet aktivizimi i spanjollit Serrani dhe izraeliti Nasar, të cilët për herë të parë do të shihen në një ndeshje nga stafi teknik. Trajneri Gjoka do të nisë të projektojë dhe formacion që do të synojë rezultatin pozitiv në ndeshjen e parë të Champions League. Në krahun tjetër kjo ndeshje do të jetë dhe një mundësi autokritike për të besuarit e Gjokës, pas humbjes befasuese 7-0 në miqësoren e parë. Në lidhje me atë takim justifikim u bë lodhja e madhe e udhëtimit transit, e cila bëri që lojtarët të rraskapiteshin dhe të shfaqnin një rendiment shumë të dobët. Megjithatë, Kukësi do të ketë dhe teste të tjera miqësore, ku në vazhdim do të sfidojë Gabalan, Rostovin dhe Dinamon e Moskës.
ADOLFUS
Marshall Adolfus Nagbe është lojtari i cili ditën e djeshme është shfaqur në seancat stërvitore me kampionët e Kukësit. Bëhet fjalë për një mbrojtës 24-vjeçar, i lindur në Liberi. Ndoshta duket e çuditshme, por mbrojtësi është vetofruar tek Kukësi, duke pranuar që të heqë të gjithë shpenzimet e tij. Me një CV jo shumë të pasur, Adolfus do të ketë shansin e tij në miqësoren e sotme me Botoshanin për të treguar se sa vlen. Pozicioni i tij natyral është mbrojtësi i majtë, por mund të përshtatet mjaft mirë dhe në qendër të mbrojtjes. Karriera e tij është e përqendruar kryesisht në Indonezi, njëkohësisht ka qenë pjesë e kombëtares së Liberisë, duke u aktivizuar si titullar në disa takime. Synimi i tij është që të bëjë hapin e madh në Europës diçka që kërkon ta arrijë përmes Kukësit. Edhe më parë ka tentuar që të bëjë hapin e madh, por nuk ia ka dalë dot, megjithatë pritet se si do të performojë me Kukësin. Gjasat janë të pakta që ai të kalojë testin, kjo për arsyen se Kukësi mbrojtjen e ka repartin më të mbipopulluar, me plot tetë alternativa. Gjithsesi fjala e fundit i takon trajneri Gjoka, i cili do të kërkojë shumë që të bindet, dhe vetëm nëse do të ketë një paraqitje mbi lojtarët që ka në dispozicion, atëherë do të ketë një kontratë dhe për të.