Egbo është kthyer në qendër të vëmendjes në opinionin sportiv shqiptar. Trajneri i Tiranës ka udhëhequr bardheblutë në një sezon fantastik që është afër kurorëzimit me titullin kampion. Megjithatë zërat në media e dërgojnë Egbonë larg stolit të kryeqytetasve pas përfundimit të kampionatit, madje edhe duke e quajtur si “trajner portierësh”.
Ogert Muka shprehet për “Syri TV” se këto fjalë vijnë nga persona dashakeqës nuk e duan futbollin. Sipas trajnerit shqiptar, Emanuel Egbo ka treguar vlera të mëdha dhe se nuk duhet të sulmohet. Puna e tij flet qartë, për këtë arsye meriton edhe kontratën e re në fund të sezonit.
“Tirana është e favorizuar ndaj Bylisit, duke patur parasysh se skuadra ballshiote ka patur oshilacione. Tirana ka mundësitë t’i marrë të dy trofetë, pasi është një ekip i kompletuar. Vetëm një gjë kam dyshim, që Egbo ka thënë se do të bëjë rotacion. E vetmja gjë që mund ta rrezikojë Tiranën është rotacioni në këtë moment.
Them që zërat për largimin e Egbosë janë nga njerëz dashakeqës, që nuk e duan futbollin. Sot është dita e Egbosë dhe mundësia që ai të vazhdojë kontratën është e madhe. Madje mund të them që Egbo po tregon vlera si trajner, si psikolog apo për gjithçka. Po e them që ata që nuk e duan, ta lënë të qetë. Nuk po e kuptoj pse e sulmojnë, aq sa mund të them që shqiptarët na qenkan racistë, pasi ai vjen nga Nigeria. Për mua nuk ka arsye të sulmohet. Bravo i qoftë për punën që ka bërë”, është shprehur Gerti Muka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/