Mançester Junajtid ka zyrtarizuar një lëvizje tjetër në merkato, teksa i ka ofruar kontratë të re mesfushorit Andreas Pereira. Braziliani me pasaportë blege ka nënshkruar deri më 30 qershor të vitit 2023 dhe shpreson që në vazhdim të ketë më shumë hapësira te “Djajtë e kuq”.
“Kam kaluar shumë kohë në qytet, ndaj tani e konsideroj klubin dhe qytetin si shtëpinë time. Jam shumë i lumtur që do ta vazhdoj karrierën këto. Trajneri ka treguar besim të madh tek unë dhe mezi pres që të nisi përgatitjet nën urdhrat e tij.
E dimë se duhet të punojmë shumë dhe do të bëj gjithçka që të ndihmoj skuadrën këtë sezon dhe më gjatë. Gjithashtu dua të falënderoj familjen time për besimin që kanë te unë dhe Zotin për mundësitë e dhëna”, ka deklaruar 23-vjeçari.
Tekniku Solskajer ka thënë fjalë të mira për Pereiran: “Andreas është një tjetër lojtar që vjen përmes akademisë dhe e kupton se çfarë do të thotë të luash për Mançester Junajtid. Ai erdhi nga një vend tjetër, por shpejt i kuptoi vlerat e këtij klubi. Tashmë është bërë një lojtar i rëndësishëm i skuadrës me energjinë dhe punën që bën në mesfushë. Andreas punon pa ndërprerje në çdo stërvitje, ka karakter dhe e di se çfarë duhet të bëjë për të vazhduar të rritet këtu”.