Besojeni ose jo, por Enis Bardhi është lojtari më i mirë në botë sa i përket goditjeve të lira. Nuk është një shaka, por një statistike e veçantë, e cila monitorohet nga FIFA. Bardhi ka lënë pas tij edhe emra si Mesi, Grizman, Pjaniç, Dibala etj.
Që nga gushti i vitit 2015 dhe deri tani, lojtari i përfaqësueses së Maqedonisë, por me origjinë shqiptare ka përqindjen më të lartë të golave të realizuar nga goditjet e dënimit. Saktësisht 24% të goditjeve të tij, Bardhi i ka çuar në fundin e rrjetës, ose e thënë ndryshe ka shënuar 6 gola nga 25 goditje të lira. Pas tij në këtë listë është Antuan Grizman i Atletikos së Madridit. Francezi ka shënuar 22% të goditjeve të lira që ka ekzekutuar.
Në vendin e tretë është Paolo Dibala i Juventusit me 20% dhe në listë është më pas Filip Kutinjo me 19% të goditjeve të sakta. Do thoni ku është Mesi? Argjentinasi ka një mesatare prej 9.7%, kjo pasi ai godet një numër shumë të lartë goditjesh dënimi. “Pleshti” ka goditur plot 134 goditje dënimi që nga gushti i vitit 2015.