Skuadra më e shtrenjtë në merkato, yje me vlerë 1,1 miliardë euro

0

Yje të mëdhenj, madje ndër më të mëdhenjtë e futbollit. Dëshira e çdo klubi për ti patur dhe miliona euro të shpenzuara për ata. Skuadra më e shtrenjtë në merkato kushton diçka më tepër se një miliard e 110 milionë euro.

Me blerjen e Alison për 72,5 milionë euro, Liverpuli vendosi një rekord të ri për transferimin e një portieri. Në mbrojtje shifrat janë po kaq të larta. Benxhamin Mendi kaloi nga Monako te Mançester Siti për 58 milionë euro. “Sitizëns” dominojnë goditjet ne këtë repart me afrimet e Ajmerik Laport (65,5 milionë euro nga Athletik Bilbao) dhe Kajli Uollkër (53 milionë nga Totenham). Blerjen më të shtrenjtë në mbrojtje e ka Liverpuli, që në janar 2018 pagoi 78,5 milionë euro te Sauthampton për Virxhil van Dajk.

Në mesfushë emrat janë sugjestionues, duke nisur nga 105 milionë eurot e paguara nga Mançester Junajtid te Juventusi për Pol Pogba. Në verën e vitit 2017, pasi humbi Nejmar, Barcelona shpenzoi afro 126 milionë euro për të marrë Filip Kutinjon nga Liverpuli. Treshja plotësohet nga Hamez Rodrigez, i cili u ble nga Reali për afro 75,6 milionë euro pas shkëlqimit në Botërorit 2014.

Sulmi është i frikshëm dhe kryesohet nga Nejmar, për të cilin Paris Seint Zhermen pagoi klauzolën 222 milionë euro. Përkrah brazilianit është ylli francez Kilian Mbape, të cilin sheikët e paguan 180 milionë euro te Monako. I fundit, por jo më pak i rëndësishmi është Kristiano Ronaldo tek i cili Juventusi investoi 112,5 milionë euro.

Në listë mungojnë disa emra, mes të cilëve Bejl (100 milionë euro nga Totenham te Reali) apo Dembele (105 milionë nga Dortmund te Barcelona). Pa llogaritur këtu që yje të mëdhenj si Çavi Hernandez dhe Andres Iniesta nuk janë shitur ndonjeherë në karrierë, diçka që do të ndodhë edhe me Lionel Mesin. Në të kundërt do të flisnim për një ekip krejt ndryshe.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.