Skocia në emergjencë të plotë dëmtimesh. Nëntë lojtarë kryesorë janë jashtë skuadrës për ndeshjen me Shqipërinë. Më i fundit është Kieran Tiernej, i cili zhvilloi seancën stërvitore me ekipin, por nuk udhëtoi drejt Shqipërisë.
Stafi mjekësor vendosi që ylli 21-vjeçar i Sëlltik e kishte të pamundur të luante në sfidën me kuqezinjtë dhe në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit. Largimi nga skuadra i Tiernej erdhi menjëherë pasi jashtë ekipit mbeti edhe Xhon MekGin.
Mbrojtësi ishte parashikuar si një prej titullarëve të padiskutueshëm të skuadrës, duke lënë një boshllëk të madh në skuadrën e Aleks MekLish. Skocia duhet me patjetër të evitojë humbjen këtë të shtunë në Shkodër dhe të fitojë ndaj Izraelit për të synuar fitimin e grupit. Misioni nuk është aspak i lehtë, me skuadrën që është gjymtuar nga dëmtimet.