Skënderbeu ka zyrtarizuar miqësoren e parë në Slloveni, me anë të një njoftimi në faqen e vet zyrtare. Prej dy ditësh skuadra korçare po vijon përgatitjet për UEFA Europa League në Slloveni, atje ku do të zhvillojë dhe 4 takime miqësore që do i vlejnë trajnerit Ilir Daja për të kolauduar ekipin në prag të ndeshjeve europiane.
Takimi i parë miqësor do të zhvillohet ditën e hënë, 12 qershor ndaj sllovenëve të NK Simer Shampionit, ekip që militon në ligën e tretë sllovene. Mbetet për tu përcaktuar dhe orari i zhvillimit të takimit.
Përveç këtij testi miqësor, drejtuesit e Skënderbeut kanë programuar edhe 3 takime të tjera me kundërshtarë mjaft cilësorë, emrat e të cilëve do të mësohen në vazhdim.