Lojtarë me eksperiencë për të qëndruar në nivele të larta, por edhe talente të rinj, për të garantuar formulën e suksesshme të shitjeve, për të garantuar të ardhmen e klubit dhe vazhdimësinë e projektit. Në këtë kuadër, pas rikthimit në ekip të kapitenit Radas, Vangjelit, Muzakës, e ndërsa priten zhvillime nga Tefik Osmani apo edhe Gledi Mici, te Skënderbeu kanë siguruar edhe dy yje të rinj.
Bëhet fjalë për Zenel Gavazajn dhe Almir Ajzeraj. Të dy lojtarët do të paraqiten këtë të premte në skuadër, për të nisur stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi. Zeneli është vëllai i vogël i Enis Gavazajt, i cili vetëm pak ditë më parë u huazua nga kampionët e Shqipërisë te Enisej në Premierligën ruse.
18-vjeçari Zenel Gavazaj, që sezonin e kaluar luajti me Lirinë e Prizrenit, është pjesë e përfaqësueses së 19-vjeçarëve të Shqipërisë, ndërsa për të interesohej edhe Kukësi. Skënderbeu e bindi me projektin dhe mundësinë, që ashtu si edhe vëllai më i madh, Enisi, ai të promovohet te bardhekuqtë dhe më pas të vazhdojë karrierën në një ligë të fort europiane.
Almir Ajzeraj është mesfushor që sezonin e kaluar shkëlqeu në Superligën e Kosovës, duke qenë vendimtar në qëndrimin e Flamurtarit të Prishtinës në elitë. 21-vjeçari është në orbitën e përfaqësueses Shpresa të Kosovës dhe pritshmëritë janë të mëdha. Përveç Zenel Gavazajt dhe Almir Ajzerajt, Skënderbeu pret që këtë të premte ekipit ti bashkohet edhe mesfushori palestinez El Hayed. Tre yje të rinj, për të ardhmen e klubit.