Skënderbeu udhëton i ndarë, bashkohet në Stamboll

0

Për shkak të mungesës së biletave, një pjesë e stafit dhe disa futbollistë do të nisen nga Prishtina drejt Turqisë ku do të bashkohet me pjesën tjetër

Skënderbeu niset sot në mëngjes udhëtimin e gjatë për në Andorrë, por janë hasur disa probleme. Ekipi do të ndahet në dy pjesë, sepse ka qenë e pamundur të siguroheshin biletat, që të gjithë të udhëtonin nga Rinasi për në Stamboll. Një pjesë e stafi teknik dhe disa futbollistë mësohet se do të shkojnë fillimisht në Prishtinë dhe më pas do të fluturojnë për në Stamboll, ku do të bashkohen me pjesën tjetër të ekipit. Ishte diçka e papritur në planet e korçarëve, që e ka prishur disi humorin e tyre. Sot, në orën 7:00, skuadra korçare, jo e gjitha, do të lërë Durrësin për t’u nisur drejt Rinasit. Në orën 9:30 është programuar nisja e avionit nga Rinasi dhe destinacioni i parë do të jetë Stambolli. Në Turqi do të presë pjesën tjetër, që do të ketë fluturuar nga Prishtina. Pasi ekipi të jetë bashkuar, do të marrë avionin për në Barcelonë. Rreth orës 18:00 të pasdites është planifikuar që Skënderbeu të mbërrijë në këtë qytet, nga ku më pas do të udhëtojë me autobus drejt Andorrës. Një udhëtim jo fort komod, pasi në mbrëmje vonë, rreth orës 20:45, është menduar që ekipi korçar të mbërrijë në hotelin, ku do të akomodohet për dy netë në Andorrë. Kështu, udhëtimi shkon 11 orë nga Rinasi në Andorrë. Skuadra korçare ka disa ndalesa rrugës dhe sot nuk do të ketë mundësi të stërvitet në Andorrë.

KONFERENCA-STËRVITJA – Për sot në mbrëmje është planifikuar edhe konferenca për shtyp e trajnerit Ilir Daja. Nga përfaqësuesit e UEFA-s është lënë 21:15 për konferencën e trajnerit të Skënderbeut. Pra, trajneri Daja do të dalë përpara medieve vetëm 30 minuta pasi të ketë mbërritur në Andorrë. Pikëpyetja e madhe ka të bëjë me seancën e fundit stërvitore të Skënderbeut. Sipas programit të stafit korçar, stërvitja e fundit do të zhvillohej sot, në orën 20:30, në stadiumin ku do të luhet ndeshja e nesërme, por gjithçka ka ndryshuar dje. Por, për shkak të udhëtimit të gjatë, Skënderbeu nuk mund të stërvitet sot në mbrëmje në Andorrë, pasi lodhja bën punën e vet. Për këtë është njoftuar edhe UEFA dhe stërvitja e fundit do të zhvillohet nesër. Edhe pse ndeshja do të luhet po nesër, ajo starton në orën 20:30, kështu që trajneri Daja ka menduar që stërvitjen e fundit me ekipin ta zhvillojë në orën 9:30. Do të jetë një seancë shkrythëse dhe që do t’i shërbejë më shumë ambientit me fushën, ku do të luhet ndeshja. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë për Skënderbeun, që të stërvitej ditën e ndeshjes.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.