Skënderbeu, turi i dytë vlen 440 mijë euro…

Drejtuesit po bëjnë llogaritë financiare dhe kalimi më tej siguron edhe 225 mijë euro më shumë. Vetëm kalimi në grupe sjell fitime të çmendura për korçarët

Leonard Trebicka

Vetëm pjesëmarrja në Europa League ka sjellë 215 mijë euro për Skënderbeun, por sigurisht që drejtuesit korçarë nuk janë të kënaqur me kaq. Ata kërkojnë të kalojnë sa më shumë ture, në mënyrë që të kenë më shumë të ardhura dhe të justifikojnë shpenzimet e mëdha. Rreth 1 milion euro harxhon çdo sezon presidenti Takaj për Skënderbeun. Sezonin e fundit nuk mundi të arkëtonte asnjë qindarkë nga UEFA, pasi u pezullua për një sezon nga Kupat e Europës, kështu që këtë verë “uria” është më e madhe. Korçarët kanë të sigurta deri tani 215 mijë euro, që janë për turin e parë, por kanë shansin e artë t’i shtojnë kësaj shume edhe 225 mijë euro të tjera. Nëse Skënderbeu kalon në turin e dytë eliminator të Europa League, siguron 440 mijë euro. Kjo shumë duket e sigurt, por edhe ajo nuk mjafton. Vetëm nëse kalohet kundërshtari i turit të dytë, Kairati nga Kazakistani, shifra mund të jetë e konsiderueshme. Në këtë rast shtohen në arkën e klubit korçar edhe 235 mijë euro të tjera dhe shifra në total shkon 675 mijë euro. Një shifër, që do t’i kënaqte korçarët para se të përballeshin me skuadra të mëdha në raundin e tretë. Këtu shtohet e drejta televizive dhe resurse të tjera, ndaj dhe presidenti Takaj kërkon me ngulm, që skuadra e tij të shkojë sa më larg. Skënderbeu duhet të kalojë të paktën edhe turin e dytë dhe mundësitë janë. Dy sezone më parë Skënderbeu arkëtoi mbi 2.6 milionë euro, pasi arriti deri në fazën me grupe të Europa League.

KAIRATI – Skënderbeu thuajse nuk e llogarit ekipin kundërshtar të turit të parë, edhe pse Sant Julian e mundi me vështirësi 1-0 në Korçë. Ekipi nga Andorra nuk është i atij niveli, që të përmbysë gjithçka dhe të kualifikohet. I gjithë problemi është skuadra nga Kazakistani. Korçarët do të luajnë me Kairat Almatin në turin, ekip që nuk është aspak i lehtë. Kazakët mundën 6-0 Atlantasin në ndeshjen e parë dhe janë të kualifikuar. Ata kanë një ekip me buxhet të madh dhe me “yje” në përbërje, ku veçohet Andrei Arshavin. Një kundërshtar shumë i fortë, por jo i pakalueshëm për Skënderbeun. Nëse korçarët kalojnë edhe këtë kundërshtar, marrin edhe 235 mijë euro më shumë. Ndoshta këtë kërkon edhe presidenti Takaj, pasi më tej e di se janë Milan&Co dhe është shumë e vështirë të kalohen. Në klubin korçar po bëjnë llogari dhe presin që ekipi të ndryshojë paraqitjen e të mos luajë si në ndeshjen e parë me Sant Julian. Drejtuesit presin fitoren edhe në Andorrë. Futbollistët e Skënderbeut nuk do të kenë asnjë shpërblim për kualifikimin, sepse kundërshtari është shumë i lehtë. Për Kairatin, në turin e dytë, presidenti Ardjan Takaj e ka gati shpërblimin, por është shpejt ta bëjë publik. Pritet që të paktën 100 mijë euro të vihen në dispozicion të futbollistëve për kalimin e turit të dytë.

 

Shumat sipas tureve

Turi i parë     215 mijë euro

Turi i dytë     225 mijë euro

Turi i tretë    235 mijë euro

Turi i katër    245 mijë euro (nëse eliminohet)

Kalimi në grupe 2.6 milionë euro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *