Skënderbeu e ka ndarë mendjen: Benejam Belai Demte mund të jetë lojtari i fundit që do të regjistrohet të mërkurën, për dy sfidat kundër Dinamos së Zagrebit në Europa League. Pasi e ka parë me kujdes në stërvitje, trajneri Ilir Daja ka dhënë pëlqimin e tij për mesfushorin nga Etiopia, Benejam Belai Demte, madje u ka kërkuar drejtuesve të klubit ta federojnë sa më parë.
Demte ka ardhur në Shqipëri për të firmosur për Kukësin, në fillim të muajit gusht, por krejt papritur braktisi verilindorët dhe u paraqit në stërvitje me Skënderbeun. Tani drejtuesit e klubit juglindor janë vënë në lëvizje të bëjnë federimin e këtij lojtari në UEFA, si një mënyrë për ta bërë përfundimisht të vetin, por Kukësi ka premtuar betejë totale dhe pritet reagimi i tyre.
Dje, gjatë prezantimit të Alijevit dhe Peposhit, menaxheri Naim Halili preu shkurt në lidhje me këtë temë: “Nuk dua të flas për atë tani, do e sqarojmë në ditët në vijim”. Tani mbetet për t’u parë lëvizja e Kukësit, që e ka ndarë mendjen të mos humbasë një betejë tjetër me Skënderbeun, pas asaj për Piter Olajinkën. Nëse, si pa dashje, Demte rezulton një talent po aq i madh sa Olajinka, imagjinohet vetë humbja e Kukësit në imazh dhe sidomos përfitime financiare.