Korçarët kanë mbyllur 3 ditët e pushimit dhe dje kanë zhvilluar seancën e parë për ndeshjen e kampionatit me Flamurtarin. Pritej që dje të kishte mungesa dhe në fakt trajneri Ilir Daja ka pasur në dispozicion 18 lojtarë dhe 2 portierë, 20 në total. Mungonin 6 vetë, por të gjithë me arsye. Me 30 minuta vonesë ka mbërritur Donjet Shkodra, i cili u vu menjëherë nën urdhrat e Dajës. Kapiteni Shehi është pjesë e stafit të kombëtares kuqezi dhe nuk do të jetë për disa ditë, Bajram Jashanica është grumbulluar me kombëtaren e Kosovës dhe me kombëtaren U-21 është portieri i tretë, Mario Dajsinani. Po ashtu, edhe tre mbrojtës te tjerë nuk ishin në stërvitje. Kristi Vangjeli, Marko Radas dhe Tefik Osmani, kishin marrë edhe një ditë më shumë leje dhe sot do të bashkohen me Skënderbeun. Këto ishin 6 mungesat e stërvitjes së djeshme për trajnerin Daja. Edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, është me kombëtaren kuqezi.
Mungesat e djeshme
Orges Shehi
Bajram Jashanica
Kristi Vangjeli
Mario Dajsinani
Marko Radas
Tefik Osmani
5 minuta analizë, nisin
përgatitjet anti-Flamurtari
Skënderbeu zbriti në fushë në orën 17:30 dhe 30 minuta më vonë lojtarët dhe stafi teknik zhvilluan seancën e parë. Pas 11 ditësh luhet ndeshja e javës së parë të kampionatit dhe Skënderbeu duhet të jetë gati. Seanca e parë u zhvillua në aneksin e stadiumit, te fusha me bar natyral. Para stërvitjes, stafi teknik dhe drejtori ekzekutiv Ilirjan Përmeti kishin disa fjalë për t’u thënë lojtarëve. Trajneri Daja u është drejtuar atyre: “Sot (dje) fillojmë përgatitjet për sezonin e ri dhe dua t’u them se duhet të harroni sa më parë ato që kemi kaluar. Kemi shumë punë për të bërë, na presin ndeshje më të rëndësishme. Të ulim kokën dhe të kërkojmë çdo ditë e më shumë për më të mirën.” Drejtori Përmeti i ka uruar lojtarët dhe më pas ka thënë që Skënderbeu është një familje e madhe dhe që ka si synim të vetëm të kapë majat. Stërvitja do të vazhdojë në qytetin juglindor me nga një seancë.