Skënderbeu pa mbrojtje në Kukës, mungon dhe Tefik Osmani

0

Pas Jashanicës së dëmtuar dhe Radasit të skualifikuar, Skënderbeu nuk ka gati as korçarin, që nuk riaftësohet për transfertën e së mërkurës. Me shumë mundësi mungon dhe Lilaj

Leonard Trebicka

Pas sfidës me Partizanin, ku Skënderbeu arriti të administronte në mënyrën më të mirë të mundshme atë takim, ku mungesat i kishte të shumta, rrezikon që të njëjtën situatë të përballojë edhe të mërkurën në stadiumin Zeqir Ymeri të Kukësit. Situata nuk ka ndryshuar, madje është përkeqësuar në kampin bardhekuq dhe trajneri Ilir Daja është bërë me dhimbje koke.

Të tjera mungesa do të ketë ai në ndeshjen e së mërkurës, veçanërisht në mbrojtje dhe në mesfushë. Mungesave të Partizanit u shtohen mungesat e Marko Radasit dhe Tefik Osmanit, ndërsa Sabjen Lilaj është në dyshim të fortë. Trajneri kryeqytetas i duhet të arnojë më shumë formacionin këtë radhë, ku tre titullarë të mbrojtjes nuk i ka në dispozicion. Gjendje alarmante te Skënderbeu në prag të një ndeshjeje shumë të vështirë, ku koha e përgatitjeve është shumë e shkurtër. Lojtarë të dëmtuar, lojtarë në gjendje gripale dhe të pezulluar. Këto janë arsyet, që katër prej titullarëve nuk do të jenë për nesër të gatshëm për trajnerin Daja. Mendohej që të paktën Lilaj tia dilte dhe ta kalonte virozën që e ka kapur prej ditësh, por edhe për këtë ndeshje ai me shumë mundësi nuk do të jetë. Dajës dhe stafi të tij i duhet i duhet të gjejnë lojtarët që do ti zëvendësojnë në Kukës.

RADAS – Mungesë e papritur mund të quhet kjo e Marko Radasit në ndeshjen e nesërme në Kukës. Trajneri Daja nuk e priste të ndodhte, pasi e kishte porositur disa herë kroatin të mos ndëshkohej me karton të verdhë në ndeshjen me Partizanin, pasi plotësonte numrin katër. Pamjet filmike tregojnë disa ndërhyrje të ashpra të Marko Radasit, sikur deshi ta merrte vetë atë karton, që i kushton mungesën në Kukës. Një veprim i tillë e ka tërbuar trajnerin Ilir Daja, sepse prapavija mbetet e zbuluar, duke ditur mungesën e gjatë të Jashanicës. Fare mirë Radas mund ta kishte kursyer atë karton ndaj Partizanit, duke qenë më i kujdesshëm në lojën e tij.

OSMANI – Në përballjen ndaj Partizanit, Tefik Osmani u detyrua të zëvendësohej në pjesën e dytë, për shkak të një dëmtimi. Sipas drejtuesve të skuadrës, Osmani ka pasur një kontraktim muskulor dhe edhe në seancën e djeshme stërvitore nuk ka qenë i pranishëm. Tefik Osmani do të jetë një tjetër mungesë e madhe në Kukës. Ishte lojtari, i cili pritej të kthehej në prapavijë pas mungesave të shumta në ndeshjen e nesërme, por mungesa e tij duket e sigurt dhe i prish shumë punë Skënderbeut.

LILAJ – Shpresat ishin të mëdha për rikthimin e mesfushorit Sabjen Lilaj. Korçarin e kapi një virozë, që e mbajti në regjim shtrati për disa ditë me radhë, mungoi ndaj Partizanit, por duket se e ka të sigurt mungesën edhe për nesër ndaj Kukësit. Lilaj është motori i këtij Skënderbeu dhe mungesa e tij peshon shumë. Mesfushori nuk po arrin ta kalojë këtë problem shëndetësor dhe gjasat janë që ai të jetë gati për trajnerin Ilir Daja në ndeshjen e fundjavës, atë të javës së 23-të të kampionatit. Më shumë se kurrë korçari duhej në Kukës.

FORMACIONI – Sigurisht që me 4 mungesa titullarësh, Lilaj, Radas, Jashanica dhe Osmani, trajneri Daja është shumë i shqetësuar, për më tepër që në grup nuk ka prej kohësh edhe Afrim Takun. Në ndeshjen e nesërme formacioni i Skënderbeut do të jetë me arna. Korçarët kanë në mbrojtje vetëm tre lojtarë, që janë Vangjeli, Aliti dhe Mici. Në qendër, me shumë gjasa, mund të kemi rikthimin e Bruno Ditës. Në mesin e fushës, Muzaka dhe Nimaga do të luajnë patjetër, pasi nuk ka lojtarë të tjerë, ndërkohë që i treti mund të jetë Xhejms, i cili mund të bëjë mesfushorin e qendrës, por një alternativë është edhe Demte. Gavazaj dhe Soue janë të sigurt në sulm.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.