Skënderbeu mbylli dje përgatitjet dhe pritet që trajneri Daja të hedhë në fushë formacionin e dytë. Titullarët në stërvitje
Sot ora 16:00
Kupa e Shqipërisë
Skënderbeu – Mamurrasi
Aneksi i stadiumit “Skënderbeu”
Skënderbeu nis sot rrugëtimin e gjatë të sezonit të ri. Merr pjesë në tre kompeticione dhe gjithçka fillon me Kupën e Shqipërisë. Në Korçë vjen Mamurrasi dhe duket një ndeshje e mbyllur pa filluar mirë. Në fakt, ndeshja e parë duhej të luhej në Mamurras, por klubi korçar arriti një akord me klubin e Mamurrasit që të dyja ndeshjet të luhen në Korçë. E parë luhet sot, në orën 16:00, në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Ndeshja e kthimit luhet sërish në qytetin juglindor, por ende nuk ka një datë të saktë, pasi Skënderbeu ka një kalendar shumë të ngjeshur. Bardhekuqtë e kanë si objektiv fitimin e Kupës së Shqipërisë, pasi nuk e kanë fituar asnjëherë. Sezonin e fundit shkoi deri në finale, por u mund nga Tirana.
FORMACIONI – Për ndeshjen e sotme trajneri Ilir Daja e ka ndarë mendjen të aktivizojë formacionin e dytë. Në fakt, Skënderbeu ka më shumë se 25 futbollistë dhe të gjithë mund të jenë pjesë e formacionit. Asnjë nga titullarët nuk do të jetë sot në fushë, sepse duhet të jenë gati ditën e shtunë për ndeshjen e kampionatit ndaj Flamurtarit. Teqja, Aliti, Lulaj, Sahiti, Shkodra, Dita, Kelmendi, Demte apo dhe çeku Nespor do të aktivizohen sot ndaj Mamurrasit. Pjesa tjetër, pra titullarët, do të zhvillojnë stërvitje pasdite.