Ditën e sotme Skënderbeu ka udhëtuar për në Selanik, ku do të qëndrojë në Royal Hotel. Prej aty, mëngjesin e nesërm do të bëhet nisja me avion çarter drejt Kievit.
Dinamo e Kievit në faqen e vet zyrtare ka publikuar një artikull ku zbulon itinerarin e Skënderbeut dhe hotelin ku do të qëndrojë, Premier Palace, një ndër hotelet më të mirë në qytet, vetëm pak kilometra larg stadiumit “Olimpiyskiy”.
Gjatë ditës skuadra korçare do të pushojë, ndërsa në 19.00 do të zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes, paraprirë nga konferenca e zakonshme për shtyp e trajnerit Daja dhe një futbollisti të zgjedhur prej tij.
Klubi korçar ka dërguar edhe listën e kërkesave për organizatorët, duke kërkuar topa, porta të lëvzishme, tavolina masazhi, peshqirë, akull, çaj dhe kafe. Gjithashtu, Skënderbeu ka kërkuar edhe çokollatë të zezë dhe biskota me kripë për gjithë anëtarët e delegacionit.
Ditën e ndeshjes Skënderbeu nuk ka lajmëruar asnjë plan, ndërsa për pas ndeshjes ka porositur 10 pica Margarita dhe kthimi në Shqipëri do të bëhet më 15 shtator.