Skënderbeu i rekordeve kalon Flamurtarin e Kukësin

Katër ture të kaluara në një edicion të vetëm, korçarët thyen rekordin e vlonjatëve por edhe të kampionëve në fuqi

Jurgen Zela

Rekordet janë bërë për t’u thyer. U deshën shumë vite që të thyhej rekordi i Flamurtarit të 87-ës, por vetëm pas 4 vitesh Skënderbeu kalon edhe Kukësin që në historinë e futbollit shqiptar kishte kaluar 3 ture në verën e vitit 2013-të. Asokohe Skënderbeu dhe Kukësi “vallëzonin” përkrah njëra-tjetrës, në turin “play-off”, por korçarët vinin nga formula e Championsit. Ishte fati i 11-metërshave që i theu bardhekuqtë atë verë, por grupet nuk janë një tabu, pasi do të jetë hera e dytë që Skënderbeu do të rreshtohet në kompeticionin e dytë kontinental më madhor për klubet e kontinentit të vjetër.

Rastësi e fatit, por grupet e Europa League-s për “ujqërit” kanë kaluar nga Dinamo e Zagrebit. Ndryshimi është i madh, pasi në rastin e parë, kroatët i hoqën mundësinë e grupeve të Champions League, ndërsa tani kualifikimi vjen pas triumfit.

E SHKUARA – Sezonin e shkuar, 7 herë kampionët vuajtën dënimin e marrë nga UEFA, për të mos luajtur në arenën ndërkombëtare, por siç duket kjo i ka bërë më të fortë dhe tashmë po vazhdojnë atë rrugë suksesi, që ndoshta do të kishte shndritur edhe sezonin e shkuar.

Nga Sant Zhulja, Kairat Almati, Mlade Boleslav dhe Dinamo Zagreb, ture të njëpasnjëshme, një verë e ngjeshur europiane dhe suksesi në fund i shërbyer në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mundur një kundërshtar që më parë u kishte bërë “keq”… Skënderbeu ka thyer shumë rekorde në ndeshjen me Dinamon, ka thyer rekordet e të tjerëve, por dhe të vetes.

Tri dekada më parë, ishte Flamurtari që arrinte të kalonte dy ture në Europë, të mundte Barcelonën 1-0 me golin e Kushtës në raundin e tretë, por fatkeqësisht u eliminua pas humbjes në Spanjë. Partizani i Beogradit dhe gjermanët e Erzgebirge Aue, marrin rrugën për në shtëpi nga vlonjatët. U deshën 26 vite që Kukësi të thyente atë rekord duke kaluar Flora Talinin, Sarajevon, dhe Metalurgun e Donjeckut. Shumëkush mund të ketë menduar se rekordi i Kukësit do të donte shumë vite që të thyhej, megjithatë në Korçë besuan, investuan dhe ja arritën që të kalonin Kukësin dhe veten. Ndoshta më mirë që ndodhi kështu, Dinamo është një histori suksesi në Ballkan, por eliminimi mund t’i ketë ardhur pikërisht nga ajo skuadër që mund të jetë në hapat e gjigantëve kroat. Flamurtari i 86-ës dhe Kukësi i 2013-ës tashmë shohin dikë tjetër sipër tyre, në një rekord ku sigurisht nuk ju vjen aspak keq që është thyer, pasi në Europë suksesi është i përbashkët. Mes shumë epitetesh në këtë moment të lavdishëm, Skënderbeu e meriton të quhet skuadra e rekordeve, sepse futbolli shqiptar tashmë ka hapur një tjetër kapitull të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *